Marotta: “Rinovimi i Inzaghit me Interin, thjesht formalitet”. Pastaj flet për interesimin mbi Isaksen

24 Mars 2025
11:02
Alfred Lleshi
back button

“Kombëtarja italiane ka një grup të ri lojtarësh dhe pak pa përvojë, por me cilësi. Puna e Spallettit do të vlerësohet nga qershori e tutje, kur do të përballet me një test shumë të rëndësishëm për lëvizjen tonë futbollistike. Do të jetë gjithashtu sprovë për këtë gjeneratë që po rritet nga ndeshja në ndeshje”.

Kështu ka thënë Beppe Marotta, president i Interit, i ftuar në “Radio Anch’io Sport”, për kombëtaren e Spallettit, e cila është eliminuar nga Liga e Kombeve pas dy ndeshjeve me Gjermaninë.

Sfida për titullin: “Tri skuadra kryesore janë kandidate për ta fituar titullin, me një kampionat të ngushtë sikurse nuk është parë prej vitesh. Kjo është e mirë për lëvizjen tonë futbollistike. Jemi ende në një fazë ndërmjetësuese, ka edhe shumë pikë në lojë. Shpesh konsiderohen vetëm ndeshjet direkte, por nënvlerësohen ato që janë të lehta në letër. Kampionati është shumë i hapur”.

Skuadra e dytë, ose ajo B: “Kam qenë gjithmonë mbështetës i saj, edhe kur isha te Juventusi. Besoj se instrumenti i U-23 është një hap i rëndësishëm për të futur të rinjtë në ekipin e parë. Përndryshe, hendeku mes U-19 dhe skuadrës së parë është shumë i madh, duhet një skuadër ndërmjetëse. Edhe ne do ta paraqesim kërkesën në momentin e duhur te federata për të marrë pjesë në kampionatin e ‘Lega Pro’, sezonin e ardhshëm”.

Kalendari i ngarkuar: “Mbaj mend kur kampionati ishte me 16 skuadra, tani kemi 20. Reflektimi i parë është se duhet të arrijmë në 18 skuadra. Angazhimet mes kombëtares dhe klubeve paraqesin problemin e parë. Problemi i dytë është se aspekti taktik, teknik dhe agonistik është shumë më ndryshe nga e kaluara e afërt. Sot shpenzimi i energjive psikofizike nuk është ai i viteve ’80 ose ’90. Kjo shkakton lodhje dhe shumë përplasje, që shpesh rezultojnë në lëndime”.

Inzaghi tha se bëhen shumë pak lavdërime për këtë Inter: “Është reagimi i një profesionisti, duhet të kuptohet. Ne jemi Interi, ndaj sikurse ndodh me klubet e mëdha, jemi nën një presion të madh. Kjo është pjesë e lojës. Njëkohësisht, nuk duhet të fshihemi, duhet të jemi ambiciozë nga pikëpamja sportive dhe të pranishëm në momentin e duhur, në garat përkatëse”.

Vështirësitë e kombëtares: “Nuk kemi një bazë historike rekrutimi, skuadra si Gjermania dhe Belgjika mund të mbështeten në lojtarë të asimiluar. Duhet të kemi durim, është një cikël i ri. Duhet t’i japim kohë Spallettit, i cili, në mendimin tim, po bën një punë të shkëlqyer”.

Rinovimi i Inzaghit: “Jemi shumë të kënaqur me Inzaghin, besoj se rinovimi i kontratës me të është formalitet. Ka punuar shumë mirë këto vite, është një pikë referimi për modelin tonë si klub, në aspektin teknik. Është një trajner ndër më të mirët në botë. Ai gjithashtu ka avantazhin se ka qenë një lojtar i shkëlqyer, jemi shumë të kënaqur që e kemi me ne. Pas pushimeve do të takohemi dhe do të rinovojmë kontratën”.

Interesi për Isaksen? Javën e kaluar e sugjeroi edhe Beppe Bergomi: “Jemi sulmi më produktiv, nëse nuk gaboj vetëm në një ndeshje nuk kemi shënuar. Loja e Inzaghit është e përshtatshme për një skuadër me fokus sulmin. Isaksen? Është një lojtar i mirë, por çdo ditë na lidhin me interesimin për këtë apo atë lojtar. Pa dyshim kemi Lautaro-Thuram, çiftin më të mirë sulmues në Itali dhe të nivelit të lartë në Europë. Do ta bëjmë më vonë programin tonë me drejtorët Ausilio dhe Baccin, do të marrim parasysh atë që ofron tregu dhe shumë vlerësime, gjithmonë me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese për objektivat që kemi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit