Sulmuesi argjentinas i Interit, Lautaro Martinez, ka folur për “Betsson Sport”, duke kujtuar momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, nga fillimet me Racing Club deri te suksesi me Interin.
Fillimet te Racing dhe debutimi në vend të Militos: “E mbaj mend atë ditë, ishte e gjithë familja ime në tribunë. Nuk vinin shpesh të më shikonin, sepse punonin gjithmonë. Ishin aty dhe ky është kujtimi më i bukur që kam. Që kur lashë shtëpinë, synimi im ishte të bëhesha futbollist profesionist. Të hyja në vend të Diego Militos ishte diçka speciale”.
Idhulli i fëmijërisë: “Nuk kisha posterë në dhomë, por gjithmonë kam thënë që e ndiqja Radamel Falcao. Më pëlqenin shumë lëvizjet e tij dhe mënyra e lojës”.
Përshtatja me futbollin italian: “Kanë kaluar tashmë 7 vite që kur kam mbërritur në Itali. Kam mësuar shumë dhe ende po mësoj. Futbolli italian po ndryshon. Në fillim ishte e vështirë, shumë ndryshe nga Argjentina, sidomos nga ana taktike. Duhej një periudhë përshtatjeje, por shokët e skuadrës, trajneri dhe e gjithë familja e Interit ma bënë më të lehtë. Jam i lumtur, por përpiqem të mësoj çdo ditë dhe të rris nivelin tim”.
Momentet e para me Interin: “Kur arrita bëra vizitat mjekësore dhe të gjitha procedurat. Pastaj në ndeshjen e parë miqësore humbëm ndaj Sassuolos, por atë ditë realizova një ëndërr”.
Goli më i bukur me Interin: “Goli më i bukur? Ai kundër Milanit në gjysmëfinalen e Champions League, për shkak të rëndësisë që kishte ai takim për ne dhe tifozët. Ishte një ëndërr ta kthenim Interin në finalen e Champions-it pas kaq shumë vitesh”.
Përvoja në Kupën e Botës dhe ndeshja më e rëndësishme: “Imazhi i parë i Kupës së Botës? Humbja kundër Arabisë Saudite. Të luash në një Kupë Bote është diçka e mrekullueshme, por ishte shumë e vështirë ta nisnim me një humbje të tillë. Megjithatë, edhe ata që hynë nga stoli bënë diferencën. Ajo humbje na shkundi”.
Ndeshja e mundshme ndaj River Plate në Kupën e Botës për Klube: “River dhe Boca janë klube të mëdhenj, historia e tyre flet vetë. E njohim mirë River-n dhe mbrojtësit e tyre, disa luajnë me ne në kombëtaren e Argjentinës, si Martínez Quarta e Pezzella. Duhet të kemi kujdes, sepse do të jetë një ndeshje e vështirë”.







