Inzaghi shpallet “pankina e artë”: Tek Interi ndihem i vlerësuar, Italia është në duar të sigurta

25 Mars 2025
7:05
Alfred Lleshi
back button

Simone Inzaghi buzëqeshi në Coverciano, ku u nderua me çmimin “Pankina e Artë”: “Kur ka një çmim, do të thotë që me mua në skenë është e gjithë familja e Interit. Duke filluar nga tifozët tanë, që janë gjithmonë me ne, duke vazhduar me stafin tim, që më ndjek qysh kur kam nisur të stërvis. Pa ata, nuk do të isha këtu. Dhe pastaj drejtuesit, pronarët dhe, në fund, lojtarët, të cilët janë pjesa thelbësore e gjithçkaje”.

Cikli juaj është i destinuar të zgjasë gjatë…

Tani kemi tre muajt e fundit të sezonit. Nuk po përmend ndeshjet që na presin, janë të shumta, por do të jenë emocionuese. Çdo tri ditë do të luajmë në Itali dhe në Europë, por ne donim të ishim në këtë situatë në fund të marsit. Kemi mundësinë të luftojmë për gjithçka dhe do ta bëjmë me shumë entuziazëm.

A ju vjen keq që ndonjëherë vlerësimi nuk korespondon edhe në nivel mediatik?

Jo, aspak. Sot në mëngjes votimet u bënë nga kolegët e mi, të cilët i falënderova publikisht. Edhe falë tyre përpiqem gjithmonë të përmirësohem, duke u sfiduar çdo të diel në fushë. Klubi e di punën që bëj, ndihem i vlerësuar tek Interi, ashtu si familja ime ndihet mirë në Milano. Duhet të vazhdojmë përpara, duke ditur se ne trajnerët jemi gjithmonë nën vëzhgim çdo 72 orë.

Si duket dyshja Thuram-Lautaro?

Po punojnë. Thuram mori një javë trajtim, sepse po vuante ende nga një problem në kyçin e këmbës. Shpresojmë që me rifillimin e punës në ‘Appiano Gentile’ të mund të stërvitet me grupin, ndërsa për Lautaron do të duhet më shumë durim. Rikuperimi po ecën mirë, shpresojmë ta kemi gati sa më shpejt të jetë e mundur.

A e patë Italinë në Dortmund?

Do ta filloja nga fakti se luajtëm kundër një kundërshtari shumë të fortë. Mendoj se kombëtarja gaboi një pjesë loje, të parën në Dortmund, por jemi në duar të sigurta. Luciano (Spalletti) është një trajner i shkëlqyer, kombëtarja luajti një pjesë të dytë shumë të mirë. Ndeshja në ‘San Siro’ mund të kishte përfunduar ndryshe. Në episodet vendimtare nuk patëm atë fatin e vogël që ndonjëherë duhet.

A ka më shumë presion dhe lodhje tek Interi sesa tek Atalanta dhe Napoli?

Ekipet kanë luajtur shumë ndeshje, disa më shumë e disa më pak. Ne dhe Atalanta kemi luajtur më tepër, por e dinim që do të ishte kështu. Kalendari nuk u hartua pasi nisi sezoni… E dinim që do të kishte ndonjë dëmtim dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi, por po përpiqemi të rikuperojmë sa më shumë lojtarë për të qenë gati në momentet vendimtare.

Duke u rikthyer te kombëtarja, çfarë menduat pas golit të dytë të pësuar?

Eh… Këto ndodhin çdo të diel në Serie A, nuk ishte e nevojshme edhe me kombëtaren në Dortmund. Fatkeqësisht, goditjet standarde janë pjesë e rëndësishme e futbollit, ka momente kur pëson më pak dhe të tjera kur pëson më shumë.

Gasperini foli për Thiago Motta, po ju?

Është një koleg që e vlerësoj, jemi takuar shumë herë. Kështu ndodh, fatkeqësisht, më vjen keq për të. E vlerësoj si trajner dhe si person, mendoj se do të kthehet shpejt, sepse është me të vërtetë i aftë.

Çfarë do të thotë ky çmim për ju?

Është një burim krenarie, sidomos në një vend prestigjioz si Coverciano. Gjithçka filloi këtu, udhëtoja vazhdimisht nga Roma. Të votohesh nga kolegët është një nder i madh.

Tri arsye, ose katër, për t’ju votuar sërish vitin tjetër…

Le të shohim… Na presin tre muaj të rëndësishëm për ta mbyllur kampionatin, Champions League dhe Kupën e Italisë. Pastaj nuk do të ndalemi, sepse do të kemi edhe Botërorin për Klube, ku Interi dëshiron të jetë protagonist, duke ditur se futbolli është një sport ku ne duam të jemi konkurrues.

Shumë dëmtime gjatë kësaj periudhe…

Të gjitha skuadrat i kanë dëmtimet e tyre, përfshirë Interin. Kemi pasur një problem me Dumfries dhe Lautaro, stafi mjekësor po punon. Mendoj se rikuperimi do të jetë më i gjatë për Dumfries sesa për Lautaron, por do të shohim. Fatmirësisht, disa lojtarë do të rikthehen pas pushimit.

A nxorët mësime për Bayern Munich-Inter nga Gjermani-Itali?

Gjermania është një skuadër e shkëlqyer, e stërvitur mirë. E kam sfiduar Nagelsmann-in më parë te Bayern Munich. Italia është në duar të sigurta me Spallettin, po rritet dhe ka zhvilluar dy ndeshje të mira. Mendoj se rrugëtimi në ‘Nations League’ ka qenë shumë pozitiv.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit