Kategoria e Parë | Vora shtyn festën historike, Burreli rihap kampionatin dhe fut në siklet Flamurtarin. Kukësi rrezikon

30 Mars 2025
20:16
Telesport
back button

Kategoria e Parë po shkon drejt fundit të sezonit të rregullt, sepse më pas do të jetë koha e playoff për t’u ngjitur më lart dhe për të përcaktuar ekipin që do të ndeshet me ekipin e tretë nga fundi në Superligën Abissnet. Sot u zhvillua java e 30-të dhe Vora, që kryeson kampionatin, ka pësuar një humbje 1-0 në Pogradec duke shtyrë kështu festën për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Në anën tjetër, ekipi i vendit të dytë, Flamurtari, nuk ka shkuar dot më shumë se një 0-0 në Burrel, me ekipin vendas të drejtuar nga ish-futbollisti Ditmar Bicaj që po bën një super sezon duke ditur buxhetin në dispozicion dhe duke lënë poshtë shumë skuadra. Ekipi “mbretëror” madje ka ndaluar gjithmonë këtë sezon Flamurtarin duke marrë 5 pikë në 3 përballje.

Pasi ndaloi Besën javën e shkuar, sot bëri të njëjtën gjë edhe me kuqezinjtë e Vlorës, madje duke tentuar dhe fitoren dhe ka pasur disa raste më shumë. Debutimi i trajnerit Pollozhani ka qenë pozitiv, por tashmë javën tjetër përballja direkte me Besën e Kavajës, që është vetëm 4 pikë më poshtë, do të jetë vendimtar. Kavajasit mundën sot Erzenin me 2 gola dhe besojnë ende te ngjitja direkt (dy vendet e para).

Fitore edhe për Kastriotin, Apoloninë dhe Lushnjën. Situata e Kukësit është shumë e keqe dhe humbja ndaj ekipit krutan i vendos me shpatulla pas murit kur kanë mbetur edhe 3 javë deri në fund.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit