Skuadra e PSG ka hedhur sytë nga talenti 18-vjeçar francez Leny Yoro, që luan me Lilë në Ligue 1. Mbrojtësi i ri realizoi dy gola në 32 ndeshje sezonin e fundit, duke u dalluar në fushë pavarësisht moshës së re.
Sipas “L’Equipe”, pak para finales së Champions League, presidenti i PSG, Nasser al-Khelaïfi, ka takuar në Londër një nga pronarët e Lilë, Maarten Petermann, për të diskutuar mundësinë e nënshkrimit të mbrojtësit.
Yoro ka një kontratë deri në vitin 2025 me Lilë, ndaj verën e ardhshme mund të largohet me koston zero. Ndërkohë që, te PSG, nuk e kanë fshehur admirimin për talentin francez, ndaj dëshirojnë ta sjellin në Paris.
Te PSG janë të vetëdijshëm se transferimi i Yoro nuk është një detyrë e lehtë, duke pasur parasysh konkurrencën. Për talentin janë hedhur në sulm edhe Real Madrid, Liverpool dhe Chelsea.
Klubi parizian po vlerëson të gjitha opsionet në dispozicion, por negociatat janë ende në vazhdim dhe çdo vendim do të merret vetëm nga presidenti i Lille, Olivier Létang. Megjithatë, kampionët e Francës nuk kanë paraqitur ende një ofertë zyrtare për blerjen e tij, deri më tani.







