Derbi i madh i fundit i sezonit, Partizani dhe Tirana përballen sonte për objektiva krejt të kundërt

7 Prill 2025
11:44
Alfred Lleshi
back button

Sonte, në orën 20:00, në “Arena Kombëtare”, do të startojë një nga përballjet më të zjarrta të futbollit shqiptar, derbi mes Partizanit dhe Tiranës. Kjo sfidë ndërqytetase, e fundit për këtë sezon në Superiore, pritet të dhurojë emocione të forta dhe spektakël të vërtetë për tifozët e të dyja skuadrave.

Forma dhe statistikat e ekipeve – Partizani, që ndodhet në vendin e katërt, synon të sigurojë një pozicion në “Final Four”, ndërsa Tirana do të kërkojë të tregojë vlerat e saj në këtë përballje prestigjioze. Statistikat e ekipeve flasin për një ndeshje të hapur dhe me gola:

Partizani: Golavarazhi 35:29
Tirana: Golavarazhi 37:42

Lojtarët që bëjnë diferencën – Në këtë sfidë pritet që protagonistët kryesorë të jenë golashënuesit më të mirë të secilës skuadër. Për Tiranën, sulmuesi Walid Jarmouni ka realizuar 10 gola këtë sezon, ndërsa për Partizanin, Archange Bintsouka ka shënuar 6 herë.

E ardhmja e futbollit shqiptar në fushë – Një tjetër element interesant i këtij derbi është prezenca e talenteve të rinj në fushë. Emiljano Mihana dhe Serxho Vogli, të dy 17-vjeçarë, janë ndër lojtarët më të rinj të këtij edicioni dhe pjesë e kombëtareve të moshave, duke pasur një mundësi të artë për të treguar aftësitë e tyre në këtë sfidë të madhe.

Të dyja skuadrat kanë pasur në dispozicion nga 37 lojtarë gjatë këtij sezoni. Te Tirana janë aktivizuar 29 prej tyre, ndërsa te Partizani 32. Ky do të jetë derbi i parë i këtij sezoni për trajnerin e ri të Partizanit, Skënder Gega, ndërsa për teknikun e Tiranës, Bledi Shkëmbi, do të jetë i treti. Tri sfidat e para të këtij sezoni janë mbyllur në barazim, mbetet të shihet se si do të përfundojë derbi i katërt sezonal.

Tirana-Partizani nuk është thjesht një ndeshje, por përballje e ethshme traditash të mëdha të futbollit shqiptar. Me atmosferën elektrizuese që pritet në stadium dhe rivalitetin historik mes dy klubeve, ky derbi do të jetë një mbrëmje për t’u shijuar nga të gjithë tifozët e futbollit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit