Interi ka hedhur një hap gjigant drejt gjysmëfinales së Champions League, pasi mundi 2-1 Bayern Munich në transfertë, në ndeshjen e parë çerekfinale. Një paraqitje e jashtëzakonshme nga zikaltërit në “Allianz Arena”, e naltuar si e tillë edhe nga trajneri Simone Inzaghi: “Djemtë meritojnë shumë komplimente, më shumë për paraqitjen se për rezultatin. E dimë që është vetëm ndeshja e parë, por i qëndruam përballë me agresivitet dhe guxim një skuadre shumë të fortë”.
Interi po paraqitet gjithmonë e më shumë si kandidat serioz për ta fituar trofeun: “Bëmë një ndeshje me shumë cilësi, por tani duhet t’i japim vazhdimësi me kthimin në ‘San Siro’ pas një jave. Bayerni u përpoq të na shtypte me më shumë intensitet, por gjeti përballë një skuadër që dinte si të dilte mirë nga pas me topin, me guxim, duke luajtur futboll, madje gjetur edhe golin e fitores në të njëjtën mënyrë, – vazhdoi Inzaghi për “Sky Sport”. – Tani duhet të vazhdojmë kështu”.
Goli me kundërsulm në fundin e ndeshjes, vetëm pak minuta pasi Bayerni barazoi, është një pasqyrë e qartë e mentalitetit të Interit këtë sezon: “Në kohën e shkurtër që kishim për ta përgatitur ndeshjen, i thamë vetes se duhej të luanim me personalitet, ta mbanim topin dhe t’ia hiqnim Bayernit. Skuadra qëndroi e përqendruar dhe e kthjellët, goli i shënuar në minutën e 91-të e tregon qartë këtë”.
Më pas, në konferencën për shtyp, trajneri i Interit shfaqi gjithë gëzimin e tij: “Do të duhet të jemi shumë të mirë në ‘San Siro’, por padyshim që jemi të kënaqur me këtë fitore. Ishim të shkëlqyer nga fillimi deri në fund, besuam gjithmonë, edhe kur rezultati u barazua 1-1. Pa dyshim është një nga fitoret më të bukura, por duhet t’i japim vazhdimësi kësaj paraqitjeje. Na mungon vetëm një hap për të shkuar në gjysmëfinale.
Lëndimet? Nuk kam pasur kurrë kaq shumë. Në pushim, Acerbi ishte shtrirë në barelë, por në fund shtrëngoi dhëmbët. Dimarco është për t’u vlerësuar, donim t’i jepnim 20 minuta, por preferuam të mos rrezikonim. Jam shumë i lumtur për Frattesi, nuk është dorëzuar kurrë. Kam qenë me fat që kam gjetur këta djem, janë të lidhur me fanellën dhe po e tejkalojnë veten”.







