Lyon fiton në transfertë dhe futet në zonën Champions, Athletic Bilbao përmbys Vallecanon dhe “blindon” vendin e katërt

13 Prill 2025
23:02
Telesport
back button

Lyon ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në transferte 1-3 ndaj Auxerre për javën e 29-të në Ligue 1. Mikautadze hapi serinë e golave për Lyon, dyfishoi Rayan Cherki, ndërsa goli i tretë u shënua nga i zakonshmi Lacazette.

Për vendasit shënoi Sinayoko. Me këtë fitore, Lyon renditet në vendin e katërt, vend që të kualifikon në fazën play-off për Champions League sezoni i ardhshëm.

Nëse PSG ka fituar zyrtarisht titullin, gara për 3 vendet e tjera që të dërgojnë në Champions është shumë e fortë dhe janë plot 5 ekipe në lojë, kur kanë mbetur edhe 5 javë pwr t’u luajtur.

Athletic Bilbao ka fituar 3-1 në fushën e vetë ndaj Vallecano për javën e 31-të në La Liga. Miqtë shënuan të parët në minutën e 37-të me Pathe Ciss, i cili dërgoi në rrjetë topin e kthyer mbrapsht nga penalltia e humbur nga shoku i skuadrës, Pedro Diaz.

Në pjesën e dytë, vendasit bënë përmbysjen e madhe duke shënuar 3 gola, me Sancet 58′ nga pika e bardhë e penalltisë, Nico Williams 80′ dhe sërish Sancet në minutat e fundit. Pas kësaj fitoreje, Bilbao forcon pozitat në vendin e katërt që të kualifikon në Champions me 57 pikë, 6 pikë më shumë se vendi i pestë që mbahet nga Villarreal.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit