Mendja vetëm te ndeshja e radhës, pa “ekstremizma”. Interi, që po lufton në tri fronte, e di se duhet t’i menaxhojë mirë energjitë dhe rotacionin, mjafton të kujtojmë tensionin me të cilin Simone Inzaghi përjetoi fundin e sfidës ndaj Cagliarit (“mos vrapo”, “qëndro”, “mos u sforco”, fjalë të kapura nga kamerat, nga frika për ndonjë dëmtim tjetër).
Natyrisht, është e qartë që zikaltërit do ta luajnë sezonin në dy javët e ardhshme dhe për këtë arsye do të duhet të mbështeten te formacioni i parë, përjashto mungesat për shkak dëmtimesh. Të mërkurën është kthimi ndaj Bayern Munich, që vlen kualifikimin në gjysmëfinalen e Champions-it, të dielën udhëtimi në Bologna për të mos humbur pikë në kampionat, të mërkurën tjetër derbi i “Coppa Italia” për të kapur finalen dhe më pas Roma në “San Siro”, të dielën e 27 prillit, për të mbyllur një cikël të tmerrshëm ndeshjesh.
Nëse Interi del i paprekur nga kjo periudhë, atëherë mund ta shtyjë edhe më tej kufirin e ëndrrës për një sezon historik. Ky është objektivi në “Appiano Gentile”. Për t’ia arritur, rotacioni do të jetë më i kufizuar, të paktën në formacionin fillestar.
Por, siç thotë edhe vetë Inzaghi, mendja vetëm te ndeshja e radhës. E para, shumë e vështirë pavarësisht fitores 2-1 në Mynih, vjen të mërkurën në mbrëmje. Lajmi i mirë është rikuperimi i Federico Dimarco, që do t’i japë pak pushim Carlos Augustos, i cili gjithsesi mbetet një kandidat për të hyrë gjatë lojës. Do të jetë ky, ndoshta i vetmi ndryshim krahasuar me ndeshjen e parë në “Allianz Arena”, me rikthimin e Acerbit dhe Mkhitaryan, dhe natyrisht me “ThuLa” (Thuram-Lautaro) në sulm.
Nga stoli vijnë sinjale pozitive. Taremi mund të jetë i grumbulluar, ndërsa Arnautovic duket se ka rikuperuar formën fizike. Zalewski i ka qetësuar të gjithë pas zëvendësimit të së shtunës. Dumfries dhe Zielinski do të rikthehen më vonë, nuk do të jenë gati për Bayernin.







