FIFA ka vendosur të penalizojë Shqipërinë me mbylljen e 20% të stadiumit “Arena Kombëtare” për ndeshjen ndaj Serbisë, pas thirrjeve diskriminuese të tifozëve kuqezinj në përballjen me Andorrën.
Sipas dokumenteve të zbuluara nga “Panorama Sport”, procedimi disiplinor është bazuar në raportin e delegatit të ndeshjes, i cili identifikoi incidentin në sektorin N103 të stadiumit, ku ndodheshin grupimet “Tifozat Kuq e Zi” dhe “Iliryan Elite”.
Në minutën e tretë të ndeshjes, një grup prej rreth 50 tifozësh ka kënduar slogane si “Vriti, vriti serbët” dhe “Vrite, shkatërroje, Serbinë masakroje”, që janë interpretuar si nxitje për urrejtje etnike dhe dhunë, në kundërshtim me Kodin Disiplinor të FIFA-s.
Thirrjet zgjatën rreth 15-20 sekonda dhe u regjistruan me video, duke u përkthyer më pas në anglisht. Raporti thekson se nuk pati reagim nga lojtarët, zyrtarët apo arbitrat dhe se incidenti nuk u përsërit më gjatë ndeshjes.
FSHF u njoftua për hetimin më 2 prill, ndërsa vendimi final për sanksionin u mor disa ditë më pas. Ky zhvillim ka shkaktuar reagime të forta nga tifozët shqiptarë dhe opinioni sportiv në vend.








