Sipas asaj që raporton tabloidi gjerman “Bild”, martesa mes ish-mesfushorit të njohur gjerman Bastian Schweinsteiger, 40 vjeç, kampion bote me Gjermaninë, dhe ish-tenistes serbe Ana Ivanovic, 37 vjeçe, po kalon një moment të thellë krize.
Çifti, i martuar që nga viti 2016 dhe me tre fëmijë, po përballen me shumë vështirësi, kryesisht për shkak të mungesës së kohës që arrijnë të kalojnë së bashku. Ai udhëton shumë, ndërsa ajo qëndron me fëmijët në qytetin e saj të lindjes, Beograd.
Ish-futbollisti ndodhet aktualisht në Xhakarta, Indonezi dhe siç duket, Ivanovic mund të mbështetet vetëm te ndihma e prindërve e vëllait të saj, që jetojnë gjithashtu në Serbi. Në muajt e fundit, çifti është parë rrallë bashkë.
Në shtatorin e kaluar morën pjesë në “Laver Cup” në Berlin, ndërsa postimi i fundit i përbashkët në Instagram daton në dhjetor, kur vizituan një treg Krishtlindjesh në Vjenë. Sipas burimeve të afërta me çiftin, Schweinsteiger dhe Ivanovic po mendojnë për divorcin, megjithëse me shumë gjasa do të tentojnë fillimisht ta rikuperojnë marrëdhënien.
Bastian Schweinsteiger dhe Ana Ivanovic u takuan në New York, në vitin 2014. Ishte dashuri me shikim të parë për të dy, aq sa vetëm disa muaj më vonë, në një park të Londrës, ai i bëri propozimin për martesë. Dasma u zhvillua në vitin 2016 në Venezia.
Po atë vit, Ivanovic, fituese e “Roland Garros” më 2008, u tërhoq nga tenisi. Në atë kohë, Schweinsteiger u transferua te Manchester United, por qëndrimi i tij zhgënjyes në “Old Trafford” përfundoi në mars 2017, kur u bashkua me Chicago Fire në MLS.
Schweinsteiger e shpalli tërheqjen nga futbolli aktiv në vitin 2019 dhe që atëherë punon si opinionist në televizionet gjerman. Ivanovic solli në jetë fëmijën e parë në vitin 2018 dhe një vit më pas lindi djali i dytë. Çifti njoftoi ardhjen e fëmijës së tretë në maj 2023. Dy fëmijët e parë quhen Luka dhe Leon, ndërsa emri i fëmijës së tretë nuk është bërë ende publik.







