Kishte shumë zhgënjim për Nicolò Barella, i cili komentoi në mikrofonët e “Inter TV” humbjen e zikaltërve në “Dall’Ara” kundër Bologna: “Ishte një ndeshje e ekuilibruar, e vendosur nga një episod i vetëm, ku mundnim dhe duhej të vepronim më mirë.
Duhet të kthejmë faqe dhe të fokusohemi te ndeshjet e ardhshme në Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve. Nuk kemi shumë kohë për t’i mjekuar ‘plagët’, sepse na pret ndeshja kundër Milanit, që mund të na japë një finale. Pikërisht aty duhet ta përqendrojmë të gjithë energjinë tonë.
Nuk jam nga ata që pëlqejnë të komentojnë me gjaknxehtësi, preferoj të reflektoj me qetësi, sepse vetëm ashtu arrin t’i kuptosh më mirë gjërat. Do ta analizojmë ndeshjen dhe do të kuptojmë se ku kemi gabuar”.
Për “Sky”, i njëjti Barella deklaroi: “Humbjet janë gjithmonë të vështira për t’u përtypur, ka ende shumë ndeshje, por ky nuk është justifikim. Një skuadër si e jona, që pëson një gol të tillë në minutën e fundit, me shtatë kundër tre në zonë, nuk është normale. Duhet të mendojmë për këtë, duhet të bëjmë më mirë, sepse futbolli nuk të fal”.







