Gara për titullin, Capello: Napoli është favorit tani, por nuk e kuptova polemikën e Contes

22 Prill 2025
9:20
Alfred Lleshi
back button

Në faqet e “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello komentoi sprintin final për titullin e Serie A: “Pothuajse sikur të ishte një film. Por jo, e dimë mirë që nuk është kështu. Përkundrazi, mendoj se fjalët e Contes rrezikuan seriozisht të kenë një ndikim negativ te skuadra e tij ndaj Monzës. Të thuash se në Napoli nuk mund të bëhen disa gjëra, ndërsa je ende në garë për titull, sikur objektivi i titullit të ishte një iluzion… Më duket e çuditshme gjithë kjo polemikë”.

Ju gjithmonë e keni konsideruar Interin si favoritin për titullin, a jeni ende i bindur?
Pas fundjavës së fundit, jo. Gjithçka është përmbysur. Skuadra e Inzaghit ka luajtur dhe do të luajë shumë ndeshje në disa kompeticione, në kampionat ka një kalendar më të vështirë se rivalët. Pa i anashkaluar zikaltrit, sot Napoli është bërë favoriti në garën për titull.

Çfarë i mungoi Interit në transfertën bolonjeze?
Ta nisim nga fundi: një skuadër solide dhe e fortë si Interi nuk mund të pësojë një gol vendimtar në minutën e 94-t, në atë mënyrë. Ishin 7 mbrojtës kundër 3 sulmuesve në zonën zikaltër, pas një rivënie anësore, dhe Orsolini goditi i papenguar në shtyllën e dytë. Një shpërqendrim i papranueshëm. Lodhje? Më shumë lodhje mendore, dhe kjo është e kuptueshme. Në sezonin e Interit ka pasur edhe mendjelehtësi, si në Parma para pak javësh. Kjo ndodh kur ndihesh më i fortë dhe ul nivelin e përqendrimit. Kur Interi luan si Inter, zakonisht fiton. Kur nuk vrapon me 100 për qind, atëherë rrezikon kundër çdokujt.

A do të kishte bërë ndryshim një pikë më shumë?
Po, sidomos në aspektin psikologjik. Do ta mbante kryesimin dhe nuk do t’i jepte Napolit ndërgjegjësimin se e ka fatin në duart e veta. Tani lojtarët e Contes e dinë që nëse fitojnë të gjitha ndeshjet, në rastin më të keq shkojnë në një ndeshje shtesë. Dhe kjo ndjesi të çliron forca që s’i imagjinon në kushte të tjera.

A ka diçka që mund t’i vihet faji Inzaghit?
Për ndeshjen në Bolonjë, po. Nuk e kuptova zgjedhjen për ta nisur me Correa titullar dhe Arnautovic në stol, duke qenë se Thuram ishte i padisponueshëm. Nëse austriaku nuk ishte në gjendje për të luajtur, atëherë nuk do të kishte hyrë as në fund të ndeshjes ndaj Bayernit pak ditë më parë. Apo as në atë të “Dall’Ara”. Pra, si zgjedhje teknike, më duket shumë pak bindëse.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit