45′ e para të javës së fundit në Superiore: Tirana po fiton në derbin e kryeqytetit, Partizani shënon në fund ndaj Elbasanit

27 Prill 2025
16:20
Telesport
back button

Luhet sot java e fundit e sezonit të rregullt të Abissnet Superiore, një javë vendimtare për fatin e disa ekipeve. Sot përcaktohet ekipi i katërt që do të shkojë në “Final Four” bashkë me Egnatian, Vllazninë dhe Dinamo-n, si dhe ekipet që do të shkojnë në Kategorinë e Parë dhe vendi i tetë që shkon në play-out.

Në “Niko Dovana”, pjesa e parë mes Teutës dhe Egnatias u mbyll në barazim 1-1. “Djemtë e Detit” kaluan të parët në avantazh me Dejvid Kapllanin, i cili shënoi në minutën e 9-të nga pika e bardhë e penalltisë. Rrogozhinasit barazuan shifrat me Jahaja në minutën e 22-të.

Në Korçë, Skënderbeu përballet me Bylis. Ballshiotët gjetën të parët avantazhin me Mustafën në minutën e 10-të, i cili shënoi me kokë pas krosimit nga goditja e këndit. Vendasit barazuan shifrat 4 minuta më pas me Bismark.

Në “Loro Boriçi”, Vllaznia përballet me Laçin. Kurbinasit kaluan të parët në avantazh me Bibo në minutën e 16-të, shkodranët barazuan shifrat me Bekim Balaj në minutën e 23-të.

Në Rrogozhinë, po luhet derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Tiranës. Bardheblutë gjetën golin me Rafael në minutën e 29-të, i cili dërgon me kokë topin në rrjetë duke kaluar të tijtë në avantazh.

Në “Arenën e Demave”, pjesa e parë mes Partizanit dhe Elbasanit është mbyllur 1-0 për të kuqtë, të cilët shënuan në fund të pjesës së parë me Prekën. Situata aktuale e renditjes është si më poshtë.

Partizani shkon në “Final Four”. Tirana shkon në play-out, ndërsa Skënderbeu dhe Laci në Kategorinë e Parë, gjithmonë me rezultatet e deritanishme sepse situate mund të ndryshojë komplet pas përfundimit të pjesëve të dyta.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit