Pas hedhjes së shortit të “final four”, i cili e përballi skuadrën e tij me Vllazninë, foli drejtori i Dinamo City, Ermal Barushi. Ekzekutivi i bluve nënvizoi mes të tjerash para gazetarëve: “Mendoj se është short i mirë për ne.
Kemi zhvilluar ndeshje të mira ndaj Vllaznisë, ia kemi marrë dorën. Shpresojmë t’ia dalim në gjysmëfinale, kemi bërë një edicion të mirë. Jemi pjesëmarrës në Kupat e Europës, ende në luftë edhe për Kupën e Shqipërisë, por sigurisht synimi kryesor mbetet titulli kampion.
Në fakt kalendari është pak i ngjeshur, duke marrë në konsideratë edhe Kupën, por shpresoj t’ia dalim sa më mirë. Presidenti i Dinamos ka pasur arsyet e veta personale, parandaj nuk ishte prezent në shortin e sotëm”.

Nga kampi kuqeblu ka folur trajneri Thomas Brdaric: “Mendoj se është diçka e madhe të jesh në ‘final four’, ku duhet të harrosh çfarë ka ndodhur dhe të fokusohesh te gjysmëfinalja, pastaj të shkosh në finale për të fituar titullin. Për mua është fitore të shkosh në finale. Duhet të jemi të disiplinuar, të fokusuar, të kemi një atmosferë të mirë brenda skuadrës.
Pas dy dekadash mungesë të titullit në Shkodër, është e rëndësishme që të fitojmë. Kjo ndeshje do të jetë definitivisht deçizive, e dimë që ishte e vështirë të arrinim në këtë pozicion. Është privilegj të jemi këtu, por tani duam të arrijmë maksimumin.
Ne shkojmë për të fituar në gjysmëfinale dhe jo për barazim. Nuk mund ta menaxhosh barazimin në një ndeshje të vetme. Ne kemi një grup shumë të mirë, me aftësi dhe force. Duam t’i tregojmë këto cilësi në ndeshjen kundër Dinamo City në gjysmëfinale, jemi të bindur që do të shkojmë në finale”.





