Denzel Dumfries, anësori i Interit, autor i dy golave dhe një asisti në barazimin 3-3 të skuadrës së tij në fushën e Barcelonës, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, u shpreh kështu, pas përfundimit të sfidës në Montjuïc, për mikrofonin e “Sky Sport”:
“Ende është gjithçka e hapur. Jam krenar për skuadrën, sepse ishte një javë e vështirë për ne. U rikthyem kështu pas tre humbjeve, me zemër dhe për fanellën. Tani shikojmë përpara me të njëjtin shpirt. Jemi të fortë, e nisëm mirë me një gol të shpejtë dhe me shumë cilësi nga Marcus (Thuram). Kjo është ajo që na duhet”.
Holandezi u pyet edhe si mund të mposhtet Barcelona në ndeshjen e kthimit: “Nuk do ta them tani, është sekret! Fillimisht mendojmë për kampionatin, pastaj për gjysmëfinalen e kthimit ndaj Barcelonës”.
Dumfries u shpall nga UEFA “Lojtari i Ndeshjes”, si më i miri në fushën e Montjuïc. Për të, dy gola dhe një asist për golin e parë të shënuar nga Marcus Thuram, që u rikthye nga dëmtimi. Një paraqitje e plotë, ajo e holandezit gjatë 81 minutave në fushë. Ai përshkoi gati 10 kilometra dhe arriti një shpejtësi maksimale prej gati 34 km/h.







