Një letër dërguar të gjithë punonjësve të Paris Saint-Germain për të përsëritur “krenarinë e të qenit pjesë e një klubi që ka vlera të mëdha”. Kështu i është përgjigjur Nasser Al-Khelaïfi largimit të Kylian Mbappé.
Numri 1 i klubit parizian dëshiron të vazhdojë menjëherë nga puna dhe shprehet se sezoni i sapopërfunduar është shumë pozitiv, falë treshes së sukseseve në territorin kombëtar (Superkupa, Ligue 1 dhe Kupa e Francës).
Ky është teksti i letrës së dërguar: “Ne mund të jemi jashtëzakonisht krenarë për sukseset e institucionit tonë si brenda dhe jashtë fushës. Jam veçanërisht krenar për faktin që të gjitha ekipet zhvillojnë talente të jashtëzakonshme nga akademitë e klubit“.
“Ne, gjithashtu, mund të jemi krenarë për vlerat e punës ekipore dhe kohezionit që na kanë bashkuar edhe një herë këtë sezon, përsëri. Aq më tepër duke pasur parasysh sfidat me të cilat jemi përballur muajt dhe vitet e fundit”, shkruan Al Khelaifi.
Në fund ai thekson: “Brenda klubit mbretëron një vullnet i fortë, me ekipin të vendosur mbi gjithçka. Sukseset tona drejtohen nga kolektivi: Ekipet e bashkuara në përpjekjet dhe performancat e tyre. Kjo më mbush me krenari, shpresoj që të gjithë të vazhdojnë të punojnë si ekip, si familje”.







