Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Wolverhampton në Premier League, ka lavdëruar si Barcelonën, ashtu edhe Interin, pas ndeshjes mes tyre në Montjuïc, e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, e përfunduar me rezultatin spektakolar 3-3:
“Kur luhet futbolli i Barcelonës, nuk do të ketë kurrë stadiume bosh. Merita është edhe e Interit, Inzaghi është një trajner i jashtëzakonshëm, edhe skuadra e tij gjithashtu. Falë ndeshjeve të tilla, stadiumet do të jenë gjithmonë të mbushura dhe biznesi ynë do të vazhdojë të rritet”.
Trajneri i Manchester City foli gjithashtu edhe për rikthimin në fushë të Rodrit, i cili ka munguar thuajse gjithë sezonin, pas operacionit në ligamentin e kryqëzuar: “Jemi vërtet të lumtur që Haaland është kthyer dhe që Rodri ka filluar të stërvitet. Sapo mjeku të thotë që Rodri mund të fillojë të luajë, sigurisht do të luajë, por fillimisht duhet të na e thonë mjekët.
Ka qenë një dëmtim i vështirë. Rodri po stërvitet çdo ditë e më shumë, por duhet të presim që të mos bëjë hapa pas dhe të dëmtohet sërish, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm. Në çdo seancë stërvitore ndjehet më mirë, kur mjeku të thotë që është i qëndrueshëm dhe mund të luajë, atëherë do të kthehet në fushë. A do të luajë sërish këtë sezon? Nuk e di. Mjeku do të më thotë. Unë nuk jam mjek”.







