Rrezik për Barcelonën; “madridisti” Marciniak pritet të gjykojë gjysmëfinalen e kthimit ndaj Interit

2 Maj 2025
8:55
Alfred Lleshi
back button

Katalanasja “Sport”, media pranë blaugranëve të Hansi Flick, ka bërë një paralajmërim: “Rrezik për Barcelonën, ‘madridisti’ Marciniak mund ta gjykojë ndeshjen e kthimit në Milano”. Shkrimi në fjalë vazhdon si më poshtë:

“UEFA do të bëjë publike të dielën e ardhshme emrin e gjyqtarit që do të drejtojë ndeshjen e kthimit mes Interit dhe Barcelonës në gjysmëfinalen e Champions League, por nga Polonia vjen një paralajmërim i fortë.

Sipas medias “Meczyki”, favorit absolut për këtë detyrë është Szymon Marciniak, arbitri kontrovers që së fundi u përfshi në polemikën e madhe për penalltinë e anuluar të Julián Álvarez kundër Real Madridit për ‘prekje të dyfishtë’ të topit.

Ky mund të shihet si shpërblim i UEFA-s për një gjyqtar që, pavarësisht kritikave të mëdha, ka vazhduar të drejtojë takime të nivelit të lartë. Nga ambienti katalanas nuk ka ende një konfirmim zyrtar, por emri i Marciniak ka ngjallur shqetësim të madh te Barça, sidomos për shkak të së kaluarës së tij.

Një histori që shqetëson Barcelonën

Marciniak është akuzuar shpesh për favore të mundshme ndaj Real Madridit. Në dy sezonet e fundit, ka marrë shumë kritika për vendime të dyshimta në ndeshje kyçe që përfshijnë klubin madrilen. Në sezonin e kaluar, nuk lejoi një gol të De Ligt në gjysmëfinalen Real Madrid-Bayern Munich; ndali aksionin për një pozicion jashtë loje, pa lejuar që loja të vazhdonte me kontroll të mundshëm nga VAR-i, edhe pse pamjet tregonin se goli duhej akorduar. Bayerni protestoi formalisht, por pa rezultat.

Ndërkohë, pas ndeshjes AtleticoMadrid-Real Madrid në këtë sezon, ku Marciniak anuloi një penallti të transformuar në gol nga Álvarez për ‘prekje të dyfishtë’, polaku u rikthye në skenë me ndeshjen Gjermani-Itali në ‘Nations League’. Sinjal se UEFA e mbështet ende fuqishëm.

Statistika që nuk favorizojnë Barçën

Marciniak është gjithashtu gjyqtari që ka arbitruar dy nga disfatat më të thella të Barcelonës në Champions vitet e fundit: 3-0 ndaj Juventusit dhe 4-0 ndaj PSG-së. Për këtë arsye, shumë në Katalonjë e shohin emërimin e tij të mundshëm si ogur të keq për ndeshjen vendimtare në ‘San Siro’.

Rreth këtij lajmi nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga klubi blaugrana, por emri i Marciniak nuk kalon pa u vënë re. Tashmë mbetet të shihet nëse UEFA do ta konfirmojë atë të dielën si arbitrin e përballjes së kthimit më 6 maj”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit