Rafa Benitez, ish-trajner i Interit, Napolit dhe Valencias, një nga njohësit më të mirë të futbollit italian dhe spanjoll, ka analizuar për “Gazzetta dello Sport” gjysmëfinalen e kthimit në Champions League mes Interit të Simone Inzaghit dhe Barcelonës së Hansi Flick, pas barazimit spektakolar 3-3 në Monjutic.
Benitez parashikon një tjetër spektakël jo vetëm në këtë përballje, por edhe në ndeshjen tjetër mes PSG-së e Arsenalit: “Të dyja ndeshjet e para ishin përballje me nivel shumë të lartë, jam i bindur se edhe në kthim nuk do të na mungojë asgjë nga spektakli”.
Ndër protagonistët më të shumëpritur është padyshim Lamine Yamal, për të cilin Benitez nuk kursen lëvdatat, duke e krahasuar me dy legjendat më të mëdha të epokës moderne: “Jemi përballë një futbollisti që është i destinuar të hyjë në histori.
Gjithçka që shohim nga Yamal çdo javë, gjithçka që mësojmë për personalitetin e tij na bën të besojmë se mund të bëhet një lojtar i jashtëzakonshëm në vitet në vijim, të arrijë nivelin e lojtarëve si Messi apo Cristiano Ronaldo. Ata nuk kishin vetëm talent të jashtëzakonshëm, por arritën ta konfirmonin e ta demonstronin për shumë vite. Edhe Yamal është në rrugën e tyre”.







