Inzaghi: Të luajmë me zgjuarsi ndaj Barcelonës, si ekip. Sa më pak topa te Yamal, aq më mirë

6 Maj 2025
7:51
Alfred Lleshi
back button

Është vigjilja e ndeshjes Inter-Barça, ndeshje që mund të vlerësojë një sezon të tërë për zikaltrit. Ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, nuk le shumë hapësirë për kalkulime. Të dyja skuadrat do të jenë të detyruara të fitojnë për të siguruar një vend në finalen e Mynihut.

Trajneri zikaltër do të rikthejë Pavard dhe me shumë mundësi edhe Lautaro Martinez. Francezi mund të startojë nga fillimi në mbrojtje, së bashku me Acerbi dhe Bastoni, ndërsa për kapitenin ka disa dyshime. Në rast se ai nuk do të jetë gati, do të luajë Taremi me Thuram.

“Lautaro dhe Pavard? Motivimi është shumë i rëndësishëm, por do t’i vlerësojmë të dy fizikisht”, – shpjegoi Inzaghi në “Sky”.

Për ndeshjen, trajneri theksoi: “Duhet të jemi të zgjuar, të bëjmë një ndeshje si ekip. Po përballemi me një skuadër të madhe, që ka mbajtje topi dhe ri-agresion, do të na duhen lojtarët më të mirë. Yamal? E kemi analizuar ku mund të përmirësohemi, idealja do të ishte t’i kufizojmë furnizimet me topa për të, por Barcelona ka shumë lojtarë të tjerë të fortë. Shpresojmë te fitorja, kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer dhe tani kemi një mundësi të madhe. Do të luajmë me qartësi, vrapim, agresivitet dhe dëshirë, gjithçka që na nevojitet për të arritur në finale. ‘San Siro’ do të jetë një ndihmë e madhe, gjatë këtyre viteve na ka ndihmuar shumë, do të jetë kështu edhe sonte. Për mua personalisht është një kënaqësi e madhe, por ka pasur shumë punë nga të gjithë, veçanërisht nga lojtarët e mi”.

Pastaj, një shaka mbi rezultatet e vëllezërve Inzaghi, duke marrë parasysh promovimin në Serie A të Filipos me Pisa: “Do të ishte një javë e shkëlqyer, i bëj komplimente Pippos dhe Pisës, që u kthyen në Serie A pas shumë vitesh. Natyrisht, ia kam bërë atij urimet në privat, por i rinovoj edhe publikisht”.

Për ndjesitë e grupit: “Ka dëshirë dhe po stërvitet mirë. Barça ka përqindje shumë të lartë të mbajtjes së topit si në La Liga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. E dimë që në mbrojtje rrezikojnë diçka, por është një rrezik i llogaritur nga një trajner i madh si Flick. Na duhet një Inter shumë i madh për suksesin”.

Për finalen e vitit 2023: “Ky mendim është ende brenda nesh, ishte një humbje e vështirë për t’u përballuar pas një ndeshje të shkëlqyer. Është pjesë e procesit, por tani është e drejtë të jetojmë në të tashmen. Duam të vazhdojmë, jemi dy ndeshje larg ngritjes së trofeut”.

Për ndjesitë e tij personale: “Janë ndeshje emocionuese. Rekordet dhe titujt janë kënaqësi, të paguajnë për punën që ke bërë. Nuk kemi bërë kurrë zgjedhje mes kompeticioneve”.

Sërish për Lautaron: “Varet shumë nga ndjesitë e tij. Nëse nuk mund t’ia nisë nga fillimi, është e vështirë që të na ndihmojë në 25 minutat e fundit. Megjithatë, kemi lojtarë të tjerë në dispozicion. Në Barcelonë nuk ishte Pavard dhe Lautaro luajti vetëm 45 minuta. Kemi pasur shumë mungesa, siç kanë pasur edhe klubet e tjera. Të martën në mëngjes, pas rikuperimit muskulor, do të marr vendimet e mia për të mirën e Interit”.

Për praninë e Lewandowski: “E njohim mirë, është një nga 3-4 sulmuesit më të fortë në botë. Sidoqoftë, po luajmë kundër Barcelonës, e cila ka fituar 3 ndeshje me nga 5 gola pa të në përbërje. Po flasim për një sulmues të shkëlqyer, por edhe një skuadër gjithashtu të fortë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit