Sot, “Arena Kombëtare” vishet me petkun e finales së madhe të sezonit 2024-2025 të Kategorisë Superiore. Egnatia dhe Vllaznia zbresin në fushë për të shkruar historinë dhe ngritur lart trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Dy skuadra me karakter të fortë dhe identitete të ndryshme loje do të matin forcat për titullin kampion. Nga njëra anë qëndron Egnatia, kampionia në fuqi, që synon të ruajë fronin, nga ana tjetër Vllaznia, që kërkon rikthimin te lavdia, me titullin kampion që mungon prej vitesh.
Bilanci mes dy skuadrave gjatë sezonit që përmbyllet sonte dëshmon rivalitet të hapur dhe të balancuar: katër përballje, nga një fitore për secilën dhe dy barazime. Ja rezultatet:
Egnatia – Vllaznia 2-2
Vllaznia – Egnatia 0-2
Egnatia – Vllaznia 1-1
Vllaznia – Egnatia 3-1
Statistikat flasin për një duel të hapur, ku askush nuk ka epërsi të qartë. Të dyja skuadrat kanë provuar shijen e fitores ndaj njëra-tjetrës, ndaj dhe finalja e sotme pritet të jetë një përballje e zjarrtë, ku çdo detaj mund të vendosë fatin e finales dhe të kampionatit.
Spektakli është i garantuar. Shqipëria do të ketë një kampion të ri, ose një kampion të rikonfirmuar.






