Me më pak se një javë para debutimit në “Euro 2024”, Gjermania ka disa çështje të hapura të pazgjidhura, të cilat herë pas here shfaqen si “elefanti në dhomë”. Konkretisht, në portë, ku është ringjallur polemika që ekziston prej shumë vitesh rreth figurës së Manuel Neuer dhe Marc-André Ter Stegen. Nagelsmann, i vetëdijshëm për situatën, donte ta shuante “zjarrin” para se të ndizej.
E vërteta është se debati mbi portën e kombëtares gjermane vazhdon prej disa kohësh për shkak të paraqitjeve të fundit të Manuel Neuer, i cili në sfida të rëndësishme ndoshta nuk ia ka dalë mbanë si duhet. I padiskutueshëm që kur mori vendin e titullarit në Kupën e Botës 2010, portieri i Bayern Munich ka pësuar 20 gola në 10 ndeshjet e fundit midis Kupës së Botës 2018, “Euro 2020” dhe Kupës së Botës 2022.
Dukej se, në moshën 38-vjeçare, ishte koha për t’i hapur rrugë Marc-André Ter Stegen, i cili kishte arritur të rikuperonte një nivel të shkëlqyer në sezonet e fundit. Më tej, dëmtimi i rëndë që pësoi në mesin e sezonit të kaluar, së bashku me ardhjen e Nagelsmann në kombëtare, la të kuptohej se fundi i Manuel Neuer në “Mannschaft” ishte afër.
Marrëdhënia mes portierit dhe trajnerit nuk ishte aspak idilike. Kujtojmë se Nagelsmann ishte përgjegjës për shkarkimin e Tapalovic, trajnerit të portierëve të Bayern Munich dhe mik i ngushtë i Manuel Neuerit, pasi ishte i bindur se po i nxirrte informacione të padëshiruara nga dhoma e zhveshjes. Diçka që Neuer-it, natyrisht, nuk i pëlqeu aspak dhe e kritikoi publikisht.
Me dëmtimin e Neuer, Ter Stegen u rrit në ndeshjet e para të Nagelsmann si trajner i Gjermanisë. Megjithatë, pasi u shërua, portieri i Bayernit rifitoi pozicionin e tij dhe nuk është larguar më nga “kuadrati” gjerman. Shkak, apo pasojë, Gjermania nuk ka humbur asnjë ndeshje më 2024 me të mes shtyllave dhe mezi ka pësuar 2 gola në 4 ndeshje.
Kjo situatë, logjikisht, ka ndezur Marc-André Ter Stegen, i cili, në moshën 32-vjeçare, tashmë e ka praktikisht të pamundur të luajë në një turne të madh duke mbrojtur portën e vendit të tij si titullar. Dhe, pasi nuk luajti asnjë minutë në miqësoren kundër Ukrainës, përfundoi duke shpërthyer:
“Nuk është një situatë e këndshme. Edhe nëse nuk jam dakord, në fund të fundit kam përgjegjësi karshi grupit, ndaj do ta ndihmoj me aq sa mundem. I thashë trajnerit të kombëtares që një gjë është në sport dhe një tjetër është çështja njerëzore, dua që të gjithë të mund të më besojnë”.
Gjëja nuk u ndal me kaq, pasi edhe Neuer ngriti zërin dhe publikisht iu përgjigj shokut të skuadrës: “Është një problem i njohur në pozicionin e portierit. Nuk ka pasur kurrë një trajner që ka lejuar të luajnë dy portierë. Marc e di situatën. E quaj mëkat, sepse ai është një portier i klasit botëror, që ka treguar paraqitje të mira. Por kjo është gjithashtu pjesë e futbollit”.
Sërish, siç pritej, Neuer i veshi dorezat në ndeshjen e së premtes ndaj Greqisë (2-1). Gjermanët, me këtë rast, u desh të riktheheshin në ndeshje pas një gabimi të veteranit të portës bavareze, në përpjekje për të bllokuar një goditje të Tzolis, që çoi në golin fillestar të Masouras.
Logjikisht, debati mbi portën, pas shkëmbimit të fundit të fjalëve mes Ter Stegen dhe Manuel Neuer, u riaktivizua sërish. Një situatë që Nagelsmann donte ta kapte që në fillim, përpara se situata të përkeqësohej, më pak se një javë larg debutimit në Europian, më 14 qershor kundër Skocisë në “Allianz Arena”: “Nuk dua të diskutoj për rolin e portierit. Manuel Neuer është dhe do të jetë portieri ynë titullar. Nuk do të lejoj të lindë asnjë polemikë, edhe nëse të gjithë përpiqen ta fryjnë diçka të tillë”.
Nisur nga ajo që kemi parë, duket se Neuer është i paprekshëm. Nga Gjermania, megjithatë, ai do të vazhdojë të shihet me “lupë”. Tani, nëse Neuer-it i ka mbetur diçka në duar, është personaliteti për ta menaxhuar këtë lloj situate.
Mirëpo, nëse për Neuer debate nuk janë problem, komplet i kundërt duket mendimi i një tjetër legjende të portës së Bayern Munich dhe kombëtares gjermane. Oliver Kahn ka analizuar së fundi situatën e portierëve te Gjermania ku, pavarësisht se lavdëroi karrierën e 38-vjeçarit, pati jo pak kritika për numrin 1 të “Die Manschaft”:
“Manuel Neuer ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e futbollit modern. Këtë nuk mund ta mohojë askush. Ai së fundi është rikuperuar nga një dëmtim i rëndë, iu desh kohë relativisht e gjatë për të zbritur sërish në fushë. Nuk është e lehtë, por me punë Neuer e fitoi me meritë pozitën e titullarit në kombëtare.
Mbi rastin e gafës kundër Real Madridit e justifikoj, sepse nuk ka bërë pushim pas rikuperimit. Gjatë kohës kur unë luaja te Bayern Munich, Mikael Rensing më zëvendësonte në ndeshje të caktuara, teksa rigjeneroja energjitë. Me Neuer nuk ka ndodhur kështu. Mosha është një komponent shumë i rëndësishëm. Ai nuk është në gjendje të jetë në fushë për 50-60 ndeshje në vit”.







