Moratti feston 80-vjetorin e lindjes, presidenti më i suksesshëm në historinë e Interit

16 Maj 2025
11:43
Alfred Lleshi
back button

“Skuadra e tripletës bëri histori, por jam i lidhur edhe me djemtë e mrekullueshëm të vitit 1998, që nuk e fituan titullin vetëm për shkak të një vjedhje nga Juventusi”. Kështu është shprehur së fundmi Massimo Moratti, duke kujtuar Interin e tij.

Jo vetëm atë të Mourinhos, që pushtoi botën, por edhe atë që për vite u konsiderua si një klub që shpenzonte shumë pa fituar trofe, deri në skandalin e “Calciopoli”, i cili ndryshoi historinë e fundit të futbollit italian. Sot, Moratti, ndoshta presidenti më i dashur për tifozët zikaltër bashkë me babain e tij, Angelo Moratti, simboli i “Grande Inter” të viteve 1960, feston 80-vjetorin e lindjes.

70 miliardë lireta, nisja e një epoke të re
Historia e re e Interit nën drejtimin e Massimo Morattit nisi më 18 shkurt 1995, kur e bleu klubin zikaltër për 70 miliardë lireta, afro tri dekada pas shitjes nga babai i tij. Në bordin drejtues futi Marco Tronchetti Provera dhe riktheu figura emblematike të “Grande Inter” si Mazzola, Facchetti, Luis Suárez e Corso.

Interi vinte nga vite “internacionalë”, ku kishte fituar më shumë jashtë Italisë sesa në kampionatin kombëtar. Në 30 vitet paraardhëse, kishte fituar vetëm 3 tituj kampioni në vend dhe një Kupë Italie. Dy Kupat UEFA, të fituara më 1991 dhe 1994, ishin pararendëset e trofeut të vetëm të Morattit deri në vitin 1998. Ndër blerjet e para të tij u shquan Rambert dhe Zanetti. Legjenda thotë se ky i fundit ishte thjesht “shtesë” e Rambert, por historia tregoi krejt të kundërtën.

Presidenti më i suksesshëm në historinë e Interit
Vitet e para ishin të lodhshme dhe të mbushura me polemika. Moratti, një prej atyre presidentëve karizmatikë dhe shpërthyes, që karakterizuan futbollin italian në vitet 1990, shkarkonte trajnerë me lehtësi dhe shpesh kërcënonte me dorëheqje, njëra prej të cilave u bë realitet më 2004 për rreth dy vite. Ishin vitet e përplasjeve me Juventusin dhe penalltisë së mohuar për Ronaldon, por gjithçka ndryshoi me skandalin e “Calciopoli”.

Deri në vitin 2006, përveç Kupës UEFA, Interi fitoi vetëm një Kupë Italie dhe një Superkupë Italiane më 2005. Pas kësaj, nisi epoka e titujve, me atë të sezonit 2005/06, që u dha pas heqjes së titullit Juventusit, trofe që tifozët bardhezinj e quajnë ende “prej letre”. Pasuan kampionate të tjera, ndërsa kulmi u arrit në sezonin 2009/10 me Mourinhon, që fitoi tripletën dhe më pas u largua drejt Real Madridit mes polemikave.

Ishte fillimi i fundit të epokës “Moratti”. Më 15 tetor 2013, ai shiti shumicën e aksioneve tek Erick Thohir. Më 23 tetor 2014 dha dorëheqjen edhe nga posti i presidentit të nderit, duke mbyllur përfundimisht 19 vite drejtim (përveç periudhës së shkurtër të Facchettit, 2004–2006). Më 6 qershor 2016, në kuadër të kalimit të pronësisë te “Suning”, ai shiti edhe pjesën e fundit të aksioneve që zotëronte.

Bilanci historik i presidentit Massimo Moratti
Moratti mbetet numri një më i suksesshëm në historinë e Interit: 4 tituj kampioni në Itali, 1 Ligë Kampionësh, 1 Kupë UEFA, 1 Botëror Klubesh, 2 Kupa Italie dhe 2 Superkupa Italiane. Pra, fitoi gjithsej 11 trofe si president. Po t’u shtohen edhe 5 trofetë e fituar gjatë presidencës “Facchetti” (1 kampionat, 2 Kupa Italie dhe 2 Superkupa), trashëgimia e tij si pronar i zikaltërve bëhet edhe më e pasur. Një president i pasionuar, që e deshi Interin me zemër dhe e udhëhoqi drejt majave të futbollit europian.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit