Në një javë të parafundit emocionuese, Interi ka shpresuar për parakalim ndaj Napolit, falë barazimit të skuadrës së Antonio Contes në fushën e Parmës. Megjithatë, ndonëse zikaltrit kaluan dy herë në avantazh kundër Lazios, u ndalën në fund nga një penallti e Pedros, që vulosi rezultatin 2-2 në “San Siro”.
Pas ndeshjes, asnjë përfaqësues i Interit nuk u paraqit për të folur për mediat. Rreth një orë pas përfundimit të sfidës, klubi zyrtarisht shpalli heshtje për shtyp, një vendim që përfshiu të gjithë lojtarët, trajnerin dhe stafin.
Sipas asaj që raporton “Calciomercato.com”, arsyeja e këtij vendimi lidhet me zemërimin e madh të klubit ndaj arbitrimit. Interi është thellësisht i pakënaqur me disa vendime të fundit, duke filluar nga: rasti i diskutueshëm ndaj Bologna, që solli golin e barazimit; mosdhënia e një penalltie për Bisseck ndaj Romës, ku as VAR-i nuk ndërhyri.
Klubi ka vendosur të heshtë për të mos rrezikuar ndëshkime apo pezullime të mundshme për komentet e nxehta. Kjo heshtje është një formë proteste institucionale, pasi mospajtimi me vendimet arbitrale është i kahershëm dhe ka arritur kulmin pas sfidës me Lazion.







