Shqipëria U-17 është gati për sfidën e madhe ndaj Portugalisë, në një ndeshje që do të luhet sot në stadiumin “Arena Kombëtare”, e vlefshme për Kampionatin Europian të kësaj grupmoshe. Më shumë se ndeshja, vëmendjen e merr përbërja e kuqezinjve të vegjël, e cila dëshmon qartë një fakt: futbolli italian dhe Juventusi dominojnë listën e kombëtares shqiptare U-17.
Nga 20 futbollistët e grumbulluar për këtë kompeticion, i cili zhvillohet për herë të parë në vendin tonë, pjesa dërrmuese e tyre luan në Itali. Plot 14 futbollistë vijnë nga klubet italiane, me Juventusin dominues, që përfaqësohet nga 4 lojtarë: portieri Raffaele Huli, mbrojtësi Kris Gecaj, dhe dy “bomberët” Arman dhe Dajan Durmishi në sulm.
Në repartin ofensiv, kombëtarja jonë U-17 krenohet me disa nga talentet më premtues shqiptarë, që po shkëlqejnë në kampionatin italian për të rinj. Arman Durmishi, sulmuesi i Juventusit U-17, është një nga emrat më të spikatur me 14 gola dhe 3 asiste në 19 ndeshje. Ai ka qenë një “makineri” e vërtetë për “Zonjën e Vjetër”. Përkrah tij, një tjetër emër që po ngjitet fuqishëm është Gabriel Kulla i Sassuolos, i cili këtë sezon ka realizuar 21 gola në 25 ndeshje, statistikë që flet vetë.
Nuk mungon as Alen Vukaj i Interit, një tjetër sulmues i formuar në një akademi të madhe, me 6 gola dhe 2 asiste në kampionatin italian. Përveç dominimit italian, lista e Shqipërisë U-17 përfshin talente të shpërndarë në disa nga klubet më të rëndësishme të Europës:
Gjermania përfaqësohet me lojtarë të formuar në akademitë e VfB Stuttgart dhe Rot-Weiss Essen. Anglia është e pranishme me Leon Myrtaj, sulmuesi i talentuar i Tottenham Hotspur. Zvicra, Portugalia dhe Greqia japin gjithashtu kontributin e tyre me emra si Leon Sylejmani (Servette), Dijar Ferati (Rio Ave) dhe Andreas Llana (Olympiacos).
Portierë:
Raffaele Huli – Juventusi
Daniel Culi – Ternana
Mbrojtes:
Fabjano Nuhaj – Olympiakos
Lukas Cekrezi – Torino
Kris Gecaj – Juventus
Fabian Hallidri – Hellas Verona
Darli Kurti – Virtus Entella
Leon Sylejmani – Servette
Hassan Haradini – Rot-Weiss Essen
Mesfushor:
Andreas Llana – Olympiakos
Alex Ramku – Udinese
Evangjelos Gjoka – PAOK
Dijar Ferati – Rio Ave
Rikardo Sheji – Torino
Enis Rexhepi – VfB Stuttgart
Alen Vukaj – Inter Milan
Sulmues:
Leon Myrtaj – Tottenham
Gabriel Kulla – Sassuolo
Arman Durmishi – Juventus
Dajan Durmishi – Juventus
Kjo është Shqipëria U-17, një skuadër e ndërtuar me shumë kujdes mbi bazën e akademive elitare europiane, ku Italia dhe Juventusi kanë rol thelbësor. Tashmë pritet të shihet nëse kjo gjeneratë e artë do të arrijë ta përkthejë gjithë këtë potencial në sukses brenda fushës, duke nisur që nga sfida e sotme ndaj Portugalisë, e cila do të startojë në orën 18:00. E ardhmja e kombëtares shqiptare duket më premtuese se kurrë!







