Java e fundit e kampionatit italian do të zhvillohet pa trajnerët e ekipeve protagoniste në garën për titullin. Antonio Conte dhe Simone Inzaghi do ta mbyllin Serie A (2024-2025) nga tribuna, pas përjashtimeve të pësuara në javën e 37-të. Epilog surreal për një sezon të jetuar në kufijtë e tensionit, që do t’i shohë Napolin dhe Interin të luftojnë për titullin pa trajnerët e tyre në stol.
Nervozizmi shpërtheu në “Tardini”, ku Conte pati një përplasje të ashpër me Antonio Gagliardin, zëvendësin e Chivu dhe ish-bashkëpunëtor i trajnerit të Napolit në kombëtare. Fjalë të forta dhe sjellje provokuese, siç theksohet edhe në komunikatën e Gjyqtarit Sportiv, që e ndëshkoi Conten me një ndeshje pezullim dhe gjobë prej 5.000 eurosh.
I njëjti fat për Inzaghin, i përjashtuar në minutën e 43-të të pjesës së dytë në ndeshjen ndaj Lazios për protesta të vazhdueshme ndaj gjyqtarit. Bashkë me të, janë pezulluar edhe Baroni (Lazio), Chivu (Parma) dhe Conceição (Milan). Ky i fundit i ndëshkuar për protesta në fundin e ndeshjes Milan-Roma. Në total, do të jenë pesë trajnerë që do të mungojnë në javën e fundit të Serie A, shifër e pazakontë që pasqyron tensionin në rritje në këtë fund sezoni.
7 lojtarë janë pezulluar: dy ndeshje për Miranda (Bologna) për reagim të dhunshëm, një për Gimenez (Milan) për bërryl ndaj Mancinit, i shoqëruar me një gjobë prej 15.000 eurosh. Janë ndaluar gjithashtu edhe Goldaniga, Idzes, Kristensen, Lovric dhe Morente për shkak të grumbullimit të kartonëve të verdhë.
Në fund, gjoba të shumta për klubet, për sjelljen e tifozëve: Lecce, Genoa, Verona, Roma, Parma dhe Inter janë ndëshkuar për hedhje objektesh dhe kapsollash në fushë.







