Inzaghi: 2 finale në 3 vite, meritë e të gjithëve. Të jesh ‘i vjetër’? Ndonjëherë ndihmon shumë

22 Maj 2025
8:25
Alfred Lleshi
back button

“Ka qenë një rrugëtim i gjatë për të arritur në finale, kemi ecur hap pas hapi, – tha Simone Inzaghi, trajneri i Interit, 9 ditë para finales së Ligës së Kampionëve. – Të gjithëve iu ka mbetur në mendje sfida e fundit me Barcelonën, por nëse mendoj edhe për Bayernin, ishte shumë e vështirë t’i mundnim bavarezët. Ata janë një skuadër e madhe, e organizuar, fizike.

Çerekfinalja ishte si gjysmëfinalja; pra katër ndeshje me intensitet të pabesueshëm. Kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer gjatë këtyre viteve. Dy finale në Champions janë meritë e punës dhe sakrificës së të gjithëve”.

Objektivi është ta fitojnë Champions-in kësaj here, pas humbjes në finalen e Stambollit, dy vite më parë: “Të gjithë e mbajmë mend mirë atë finale. Luajtëm si të barabartë ndaj një skuadre shumë të fortë si Manchester City. Ndoshta e meritonim të shkonim në shtesë në atë ndeshje, por ajo paraqitje na dha shumë vetëbesim për forcat tona”.

Tani përballja është me PSG-në: “Nuk mendoj se të jesh një skuadër pak më ‘e vjetër’ është problem. Përkundrazi, ndihmon shumë në disa momente të rëndësishme të ndeshjeve të mëdha. Kam një grup futbollistësh të mëdhenj, por mbi të gjitha njerëz të shkëlqyer, që punojnë gjithmonë në mënyrën më të mirë dhe përpiqen të qëndrojnë të kthjellët.

Fitorja do të ishte kurorëzimi i një pune të madhe që ka nisur katër vite më parë. Do të jetë një finale shumë e rëndësishme, duam t’iu japim këtë gëzim të madh tifozëve tanë. Do të bëjmë gjithçka për t’ia arritur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit