Simone Inzaghi dhe Interi do të takohen në fund të sezonit për të diskutuar të ardhmen. Një takim që, të paktën për momentin, nuk ka nevojë të mbingarkohet me pritshmëri më të mëdha nga ato të viteve të kaluara.
Një takim i zakonshëm (sepse është praktikë e çdo klubi) mes trajnerit dhe shoqërisë për të analizuar sezonin e sapo përfunduar, për të folur mbi perspektivat e skuadrës dhe, pashmangshmërisht, për merkaton që vjen. Këtë vit, megjithatë, në tavolinë do të ketë një element më shumë për t’u marrë në konsideratë: oferta e pasur nga Al Hilal, që është gati ta mbulojë me euro trajnerin nga Piacenza.
Ky i fundit do të ishte shumë i lumtur ta vazhdonte aventurën me zikaltrit, po aq sa edhe Interi dëshiron ta mbajë atë në pankinë, por, siç u përmend edhe disa ditë më parë, do të jetë e pashmangshme të kuptohet se çfarë do t’i ofrohet atij në aspektin e investimeve në skuadër, përtej çdo diskutimi ekonomik mbi kontratën.
Sepse puna e Inzaghit, e vlerësuar nga drejtuesit dhe dhoma e zhveshjes, nuk ka prodhuar vetëm trofe (këtë vit, ende asgjë në vitrinë, por kush e di çfarë ndodh më 31 maj…) Duhet shtuar edhe valorizimi i lojtarëve dhe rritja e vlerës së klubit në një kontekst merkatosh shumë më modeste krahasuar me ekipet europiane, ndaj të cilëve ai ka ditur të jetë konkurrues.
Çelësi qëndron pikërisht këtu dhe, përveç finales së Champions-it, do të jetë pikërisht kjo që do të vendosë për qëndrimin e Inzaghit tek Interi. Është e kotë të bëhen parashikime tani, por është e qartë se asnjë skenar nuk përjashtohet.
Aq sa, shkruan “Corriere della Sera”, në rast ndarjeje, do të rikthehej në modë emri i Massimiliano Allegrit, shumë i vlerësuar nga presidenti Marotta dhe që ishte gati të merrte drejtimin e Interit pikërisht para se të mbërrinte Inzaghi.
Ish-trajneri i Juventusit është gjithashtu në shënjestrën e Napolit në rast ndarjeje me Conten. Edhe në atë rast do të kishim një tjetër duel, kësaj here në merkato, mes Napolit dhe Interit, pas atij që ka elektrizuar Serie A për titullin në sezonin 2024-2025.







