Interi nuk iu lë hapësirë pendesave… Gjithçka për Champions, pa asnjë keqardhje

26 Maj 2025
11:19
Alfred Lleshi
back button

Gjithçka ose asgjë, në aspektin sportiv. Tjetër gjë është ana financiare, por për bilancet ekonomike tifozët nuk e vrasin mendjen. Gjithçka, sepse të fitosh Champions-in nuk ka krahasim. Kush e ngre atë trofe, ulet në tryezën e Perëndive, gjithçka tjetër bëhet dytësore, madje edhe një titull kampion i lënë rivalëve, i flijuar në altarin e ëndrrës europiane.

Asgjë, sepse humbja në Mynih do të thotë mbyllje e sezonit pa trofe. Një vit i gjatë, intensiv, plot adrenalinë, në disa momente edhe magjepsës, por që në fund do të mbetej pa asnjë titull. Gjithçka ose asgjë, pra. Një e vërtetë e thjeshtë, do të thoshit…

Sigurisht, por edhe e thjeshta bën pjesë në përditshmërinë, teksa përditshmëria e Interit sot është kjo. Më shumë përditshmëria e tifozëve sesa e skuadrës apo e Inzaghit, për të qenë të sinqertë. Mendja e lojtarëve dhe trajnerit është e përqendruar te 31 maji.

Zhgënjimi, nëse ka pasur ndonjë (dhe me siguri ka pasur, i madh madje), është përtypur dhe kapërcyer brenda një të hëne pas ndeshjes me Lazion. Nuk ka vend tani për zhgënjim tek ata që gjatë gjithë vitit kanë punuar në një drejtim të vetëm.

Interi ka dashur të jetë në banketin e Perëndive të Europës me çdo kusht, duke shkuar përtej limiteve të veta, duke paguar çmimin e kërkuar, i gatshëm tani për një “all-in” që do të luhet në “Allianz Arena” të Bavarisë.

Ndeshja ndaj Comos, në fund të fundit, ishte një stërvitje e mirë në prag të finales së madhe. Pa sforco fizike, por me sinjale të qarta nga formacioni fillestar, të konfirmuara edhe nga zëvendësimet gjatë ndeshjes. Lautaro, për shembull, pas rikuperimit të tij “mrekullibërës” kundër Barcelonës, u mbajt nën mbrojtje të plotë që të mbërrijë në formë optimale më 31 maj.

Me Thuram, pothuajse e njëjta histori. Pastaj Pavard, që kundër bashkëkombësve francezë do të jetë një shtyllë kyçe. Edhe Frattesi. Pa përmendur Bastonin, Dimarco, Mkhitaryan, Acerbi, të gjithë të ruajtur maksimalisht. Do të duhet vlerësuar gjendja e Bisseck, por gjithçka tregon se Inzaghi do të udhëtojë drejt Mynihut me skuadrën e plotë.

Po, ajo skuadër që shumëkush e ka quajtur “dopio skuadër”, hiperbolë që në të vërtetë është përdorur si kritikë e nënkuptuar, por aspak e fshehur, ndaj Inzaghit. Tani, me këtë grup, trajneri zikaltër do të luajë gjithçka që ka, asnjë mendim prapavije nuk po e pengon afrimin drejt finales. As, dhe aq më pak, çështja e rinovimit të kontratës, që nëse bëhet temë, do të jetë vetëm ditën pas finales së Champions-it.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit