Alessandro Bastoni, mbrojtësi i Interit, ka folur për “Sky Sport” përpara finales së Champions League ndaj PSG:
Kush është favorit?
Përvoja tregon se në finale të tilla nuk ka favoritë. E pamë edhe me Manchester City në Stamboll. Ata ishin super favoritë, por në fund rezultoi një ndeshje shumë e hapur. Në ndeshjet teke është shumë e vështirë të thuash kush është favoriti.
Cilat janë pikat e forta të PSG-së?
Ata janë shumë të fortë në aspektin ofensiv, jo vetëm përmes sulmuesve. Edhe mbrojtësit e krahut sulmojnë shumë, nga Hakimi te Nuno Mendes. Kanë një trajner shumë të mirë dhe nëse kanë arritur në finalen e Champions-it, do të thotë që e meritojnë.
Si po e përjetoni finalen pas zhgënjimit në kampionat?
Mbyllja e Serie A ishte zhgënjyese për ne, por të shtunën kemi një takim me historinë. Nuk ndodh çdo vit që të luash një finale të Champions-it. Për titullin kampion, Interi do të jetë gjithmonë aty në vitet e ardhshme. Tani jemi të përqendruar totalisht te Champions-i, një finale si kjo mund të ndryshojë karrierat tona.
Çfarë ndjesish ke për këtë sfidë?
Kanë mbetur edhe 4-5 ditë, përpiqesh të mos mendosh shumë. Të fitosh Champions-in është një ëndërr, një ambicie që të ndjek që fëmijë. Në fushë duhet të ruash qetësinë mendore dhe kthjelltësinë, sepse gjithçka mund të ndodhë.
Çfarë note i jep sezonit dhe si mund të ndryshojë ajo me fitoren e Champions-it?
Për momentin do t’i jepja notën 8, por mund të bëhet 10 nëse fitojmë në Mynih.







