“Inter, unë nuk e kam fituar kurrë Champions-in. Ma dhuro ti këtë gëzim në Mynih”

30 Maj 2025
8:34
Alfred Lleshi
back button

E pabesueshme, por e vërtetë. Ronaldo, “Fenomeni”, nuk e ka fituar kurrë Ligën e Kampionëve. Jo vetëm kaq, sulmuesi më i fortë i epokës moderne nuk ka arritur asnjëherë të luajë një finale të këtij kompeticioni, e ka prekur vetëm nga afër në vitin 2003, kur Juventusi eliminoi Real Madridin e tij në gjysmëfinale.

Me Interin ka fituar një Kupë UEFA, si protagonist absolut. Me Interin, me të cilin ka mbetur një tifoz i madh, shpreson tani të festojë në Mynih, çka do ta shpërblente rrugëtimin europian sezonal deri tani entuziazmues.

“Nuk jam i vetmi që nuk e ka fituar kurrë Champions-in, – ka treguar Ronaldo në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. – Rastësisht, para pak kohësh, më ra rasti të lexoja listën e të gjithë atyre që nuk e kanë arritur këtë triumf. Nga Buffon te Matthäus, deri te Maradona, jam në shoqëri të mirë (qesh)… Natyrisht, do të ishte shumë bukur që skuadra e sotme e Interit të ma dhuronte këtë gëzim, të vetmin që më mungon. Madje, si më 2010, ta dhuronte për të gjithë ne, interistët e së shkuarës, që për një arsye apo një tjetër, nuk ia dolëm”.

Një sfidë shumë e vështirë për Ronaldon, ndoshta edhe më shumë se ajo me Barcelonën në gjysmëfinale: “Skuadrat e Luis Enrique kanë gjithmonë ekuilibër. Besoj se edhe fakti që ka stërvitur në Itali e ka ndihmuar të rritet në ide dhe mentalitet. Problemi për Interin është që përpara, PSG nuk është shumë më pak e fortë se Barcelona. Vetëm pak, jo shumë. Fundja, parizienët nuk kanë pasur kurrë probleme buxheti, apo jo…?”

Jo, asnjë problem, por në fushë shpresohet që nuk luajnë eurot: “Nga Lautaro më kanë bërë përshtypje dy gjëra: shikimi që kishte në mbrëmjen e Inter-Barça, ku nuk ndihej mirë, por dukej sikur donte ta hante ndeshjen me dhëmbë. E imagjinoj se në Mynih do të dojë ta hajë topin, tani që ka rikuperuar edhe fizikisht. Atë fytyrë e pres edhe nga gjithë të tjerët, nga Barella e poshtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit