Nga triumfi në garën e Montekarlo dy javë më parë në një garë katastrofike një ditë më parë në Kanada. Një luhatje kaq dramatike e paraqitjes së “kokëkuqes” nuk ishte parë më parë në Formula 1, që në Montreal nuk mori asnjë pikë, pasi të dy pilotët e saj u tërhoqën nga gara. “Një fundjavë ku thuajse nuk ekzistonim në pistë”, tha Leclerc.
Charles Leclerc nuk ishte në asnjë moment kompetitiv, duke komentuar kështu rezultatin: “Kishim një motor të ngadaltë, ishim gati një sekondë e gjysmë më të avashtë në pistë se rivalët. Problemi ishte aq i madh sa nuk mund të bënim asgjë. Ky është një rezultat që të dhemb”.
“Ne duhet të punojmë për këtë dhe të përpiqemi të kuptojmë se çfarë shkoi keq. Nuk morëm asnjë pikë nga kjo garë dhe ky është një turp për një makinë si Ferrari, që vinte nga një fitore dy javë më parë. Sinqerisht, nuk ka shumë për të thënë, problemi i motorit na kushtoi gjithçka”, tha Leclerc.
“Në një moment u përpoqëm të ndryshonim strategji kur e dinim se do të ishte e rrezikshme, por duhej të provonim diçka sepse me problemet e motorit do të kishim qenë gjithsesi jashtë pikëve. Duhet të shikojmë problemin e motorit sepse do të jetë i komplikuar për pjesën tjetër të sezonit”, tha monogasku.