Kush do ta fitojë Kampionatin Evropian? Nëpërmjet përdorimit të kryqëzuar të të dhënave dhe statistikave të avancuara, “Opta Analyst” është përpjekur t’i përgjigjet pyetjes që të gjithë entuziastët i bëjnë vetes. Sipas superkompjuterit do të jetë një garë e dyanshme mes Anglisë (19.9%) dhe Francës (19.2%).
Gjermania, favoritja e tretë, është më pas, me 12.6% shanse për fitore përfundimtare, e ndjekur nga Spanja dhe Portugalia. Po Italia? Kombëtarja axurre është e shtata në grupin e favoritëve dhe ka 5% shanse për ta ngritur trofeun në Berlin. Nuk duhet të ketë probleme me kalimin në grup (probabiliteti 80%), ndërsa ecuria e Spallettit, sipas kësaj prognoze, do të përfundojë në çerekfinale.
Kombëtarja e Gareth Southgate është superfavoritja për ta fituar Kampionatin e parë Europian në historinë e saj. Pas “Tre Luanëve” qëndron kombëtarja e Didier Deschamps, për të cilën do të ishte titulli i tretë kontinental, pas atyre të viteve 1984 dhe 2000.
Për më tepër, të dyja kombëtaret në fjalë kanë mbi 30% shanse për të arritur në finale. Po të tjerët? Në vendin e tretë është Gjermania mikpritëse, me 12.6% shanse për të triumfuar në Berlin, ndërsa të gjitha të tjerat janë nën 10%.
Sipas algoritmit, skuadra e Spallettit nuk ka shumë shanse ta përsërisë suksesin e “Wembley” të tri viteve më parë. Axurrët janë vetëm të shtatët në rrjetin e favoritëve, me 5% shanse për ta mbrojtur kurorën që e mori më 2021.
Por kujdes: përpara edicionit të fundit të Europianit, “Opta” i dha Italisë së trajnerit të atëhershëm Roberto Mancini vetëm 7.6% shanse për të triumfuar në “Wembley”. Më pas të gjithë e mbajmë mend mirë se si përfundoi…







