Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për Radio Televizionin Kombëtar të Kosovës. Në një intervistë të gjatë për gazetarin Arlind Grantolli, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal në shumë tema, që nga rrugëtimi i tij në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, te ndryshimi rrënjësor i infrastrukturës në vendin tonë, zhvillimi i futbollit të fëmijëve dhe vajzave si edhe zhvillimi i sektorit të edukimit dhe rritja e numrit të trajnerëve të licencuar, teksa u ndal edhe te mundësia për të pasur një trajner shqiptar në krye të Kombëtares shqiptare.
Presidenti Duka foli edhe për postin si zv.President i UEFA-s dhe kryetar i Komitetit të Mediave në UEFA, raportet me homologët dhe federatat e tjera në të gjithë Europën si edhe tregoi se sa ka ndryshuar perceptimi dhe imazhi i Shqipërisë në sy të miqve europianë kryesisht gjatë viteve të fundit.
Në prag të ndeshjeve finale të Kampionatit Europian, Presidenti Armand Duka foli edhe për kualifikimin e Kombëtares në këtë kompeticion dhe objektivat që ka përfaqësuesja shqiptare, që mbi të gjitha duhet të shijojë pjesëmarrjen në Gjermani.
Kampionati Europian, do të jetë pjesëmarrja e dytë për Kombëtaren shqiptare, pas “Francë 2016” dhe tani “Gjermani 2024”. Si po e përjetoni dhe si po e shijoni këtë moment?
Po e shijoj si të gjithë ne, si të gjithë ju, si të gjithë shqiptarët. Shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj historie dhe që jemi bashkë në këtë event të rëndësishëm futbollistik. Nuk është një gjë normale, një gjë që ndodh zakonisht, kështu që padyshim që jemi shumë të lumtur që do të jemi pjesë e Kampionatit Europian.
Ashtu siç e theksuat edhe ju, për herë të dytë dhe do të tentojmë që të bëjmë më të mirën, për të treguar jo vetëm vlerat e futbollit shqiptar, por siç treguam në Francë, të tregojmë vlerat e kulturës shqiptare e tifozerisë shqiptare e gjithçka të mirë që ne kemi, mbase kemi pasur pak mundësi për ta demonstruar.
Për një skuadër jo me traditë të vazhdueshme e të kualifikuar në kompeticione të rëndësishme Europiane apo Botërore gjithmonë është e vështirë. Është e vështirë çdo ndeshje, është i vështirë gjithë kompeticioni për të arritur objektivin.
Hera e parë ka qenë një objektiv apo një ëndërr utopike që nga shumëkush është menduar që ne nuk do të arrijmë kualifikimin ndonjëherë, kështu që padyshim që na ka shijuar shumë që për herë të parë e pamë veten si pjesë e këtij kompeticioni të rëndësishëm. Ai edicion kualifikues kishte veçoritë e veta siç i kujtojmë, ndeshjen e Beogradit me shumë probleme, me emocione qoftë edhe negative që nuk kanë lidhje me futbollin, kishte ‘luftë’ në fushë në gjykata në arbitrazh, kishte ato veçoritë e veta dhe ishte shumë e vështirë.
Vërtetë kishim një grup të vështirë, kur kam parë shortin e asaj kohe kam menduar që me këtë grup ne mund të rrezikonim për të mbetur edhe të fundit e grupit, Serbia, Danimarka, Portugalia por edhe Armenia e asaj kohe ishte Kombëtare shumë e fortë.
Ia arritëm le të themi me të gjithë ato veçoritë e veta, vërtetë shumë i gëzuar dhe besoj se të gjithë kemi qenë të gëzuar që u kualifikuam, por në këto kualifikuese kemi patur akoma më shumë kënaqësi nga të gjithë ne për atë çka ka dhuruar ekipi në fushë.
Unë mendoj që jemi në një nivel tjetër nga 2016, jemi më mirë nga pikëpamja kualitative sportive, por edhe kundërshtarët që kemi në grup janë mbase të paktën në letër me historinë që kanë më të fortët e mundshëm. Nëse do të shikoni shortin e UEFA Nations League që u hodh në Paris tre ekipet e para të renditura ishin Spanja, Kroacia dhe Italia, pikërisht këto që ne do t’i kemi kundërshtarë e që ne do të mundohemi t’i sfidojmë.
Në një lloj mënyre ne duam t’i sfidojmë pavarësisht se le të themi mediatikisht trajnerët e Spanjës, Kroacisë dhe Italisë, shprehen se Shqipëria është një ekip i fortë, ne duhet të kemi kujdes. Unë kam përshtypjen që ata mendojnë se e kanë të sigurtë kualifikimin, nga ana tjetër nuk është se ne mendojmë që kemi më shumë shanse sesa ata, por kemi besim tek ekipi jonë ashtu siç kemi besuar te ekipi në ndeshjet kualfikuese.
Ne kemi bërë një tur kualifkues vërtetë fantastik në krahasim me kundërshtarët tanë. Italia është kualifkuar me vështirësi me një penallti në minutën e fundit me Ukrainën, me një barazim me Maqedoninë e Veriut. Pra ne kemi mundësi që të kërkojmë t’i sfidojmë ata por gjithsesi ajo që unë e kam thënë disa herë dhe vazhdoj ta përsëris dhe do mundohem që këtë gjë ta ndaj aq sa mundem edhe me stafin dhe futbollistët është që lojtarët tanë duhet vërtetë ta shijojnë atë që kanë arritur.
Vërtetë është një grup i fortë, por mos të harrojmë që jo vetëm ndaj Shqipërisë, kundërshtarët tanë do të luajnë kundër njëri tjetrit, kështu që çdo gjë është e hapur, por gjithsesi ne e kemi bërë kampionatin tonë, skuadra dhe djemtë e kanë arritur suksesin e vet.
Unë jam krenar për djemtë e ekipit Kombëtar, për stafin, për Silvinjon dhe gjithë stafin e tij që na kanë bërë të ndihemi ne krenar sepse në fund të fundit janë këmbët e tyre që e kanë arritur një gjë të tillë, të gjithë ne të tjerët jemi faktor plotësues dhe ndihmojmë performancën e tyre.”







