Moggi sulmon Gravina: Mendon më shumë për veten se për sportin që përfaqëson

14 Qershor 2025
8:09
Alfred Lleshi
back button

Në faqet e gazetës “Libero” mund të lexohet një editorial i firmosur nga ish-drejtuesi i Juventusit, Luciano Moggi, në lidhje me krizën e kombëtares italiane: “Tani po kalojmë në situata qesharake, duke e lënë Spallettin në pankinë kundër Moldavisë, edhe pse ishte ‘verbalisht i shkarkuar’. Po të mos ishte vetë trajneri që e zbuloi këtë gjë, nuk do të kishte asnjë komunikim zyrtar.

Duhet të pyesim pse të paktën nuk ia ngarkoi Buffon-it detyrën e vështirë të komunikimit. Mbetet e vështirë të kuptohet se cili është roli real i Gigi në gjirin e FIGC, përveçse të tregojë fytyrën e tij prej kampioni të së kaluarës.

Shumë pak për situatën ku ndodhet futbolli italian sot, ndoshta ai nuk duhet t’iu nënshtrohet këtyre ‘uljeve në detyrë’. Jemi përballë një situate prej amatorësh të papërgatitur. Të shkarkosh një trajner pa pasur zëvendësuesin më duket komedi, ku fatkeqësisht aktori kryesor i këtij spektakli është vetë njeriu që është zgjedhur për të drejtuar anijen, Gabriele Gravina.

Mjaftoi refuzimi i Ranierit për të hapur një gropë rreth emrit të trajnerit të ri, aq sa tani do të detyrohen të zgjedhin jo më të mirin, por thjesht atë që është i lirë në treg. Dhe të mendosh që deri më 2006 trajnerët bënin gjithçka për të kandiduar për pankinën e kombëtares italiane, nuk ndodhte kurrë që lojtarët të refuzonin ftesat, siç bëri Acerbi.

Mungon qartë besimi tek ai që drejton, pra Gravina. Në futbollin e tij, shumica e klubeve zbresin në fushë me 10, ndonjëherë edhe me 11 të huaj, duke penguar rritjen e të rinjve tanë, që duhet të ishin baza e kombëtares.

Do të mjaftonte një masë sportive për të kufizuar efektet e ‘dekretit të rritjes’, pa cënuar qarkullimin e lirë, duke lejuar çdo ekip të përdorte maksimumi 5 të huaj në garat zyrtare ose, nëse preferoni, të detyronte aktivizimin e të paktën 6 lojtarëve italianë.

Gravina mund të thuhet se nuk ka ditur t’i japë një alternativë të denjë futbollit italian, sepse në momentin e zgjedhjes ishte i vetmi kandidat i mundshëm. Faji, pra, është edhe i sistemit që nuk ka prodhuar asgjë më të mirë.

Nga ana tjetër, dihej që Gravina kishte më shumë interes për promovimin personal sesa për sportin që përfaqëson, i prirur për të bërë karrierë politike personale, siç e tregoi edhe ngjitja e tij si zv.president i UEFA-s pranë Ceferin-it.

Nga ana tjetër, që në vitin 2006, dr.Giraudo e kishte dhënë paralajmërimin e tij, kur Serie A ishte ende kampionati më i mirë në botë dhe kombëtarja fitonte Kupën e Botës: ‘Ne po largohemi, do të shihni çfarë do të vijë pas nesh’. Tani po i shohin, por shumë bëjnë sikur nuk shohin asgjë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit