Bayern Munich e ka nisur me këmbë të mbarë Kupën e Botës për Klube, pas fitores 10-0 ndaj Auckland City, në ndeshjen e zhvilluar në “TQL Stadium” në Cincinnati. Bavarezët kishin përballë një ekip gjysmë-profesionist, ku shumica e lojatërve të ekipit bëjnë edhe punë të tjera në fusha të ndryshme, përveçse luajnë futboll.
Serinë e golave për Bayern e hapi Kingsley Coman në minutën e 5-të, i cili shënoi me kokë, pas një pasimi po me kokë nga Jonathan Tah, pas krosimit të Joshua Kimmich nga goditja e këndit.
Në minutën e 18-të ishte radha e Sacha Boey për të shënuar golin e dytë, pas asistit të Kingsley Coman. Bavarezët shënuan edhe dy gola të shpejtë me Michael Olise në minutën e 20-të dhe me Kingsley Coman në minutën e 22-të, një gol shumë i bukur nga ana e francezit.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, Bayern shënoi edhe dy gola të tjerë me Muller 45′ dhe Olise 45+3. Pjesa e parë mbyllet 6-0 për bavarezët. Ekipi i drejtuar nga Vincent Kompany nuk u ndal së shënuari as pjesën e dytë. Jamal Musiala shënoi fillimisht dy gola për 5 minuta, në minutat 68′ dhe 73′. Të parin e shënoi me një goditje të bukur me hark në kufijtë e zonës së rreptësisë, të dytin nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutën e 84-të, Musiala kompletoi hat-trick.
Në fund të kohës së rregullt, Thomas Muller shënoi golin dytë personal dhe të dhjetin për Bayern. Rezultati përfundimtar 10-0, Bayern merr vendin e parë në grupin C, ku bëjnë pjesë edhe Benfica me Boca Juniors.







