Granit Xhaka është impresionuar nga interesimi i Milanit, duket shumë i tërhequr nga një transferim në Itali. Këtë e raporton versioni online i “Gazzetta dello Sport”.
Kapiteni i kombëtares zvicerane, i cili ka luajtur për Arsenalin nga viti 2016 deri më 2023 dhe prej 2 vitesh është pjesë e Bayer Leverkusen, ku është shndërruar menjëherë në një nga lojtarët kyç, është i hapur për t’u transferuar te Milani, pret që dy klubet të nisin kontaktet. Deri tani nuk ka pasur bisedime konkrete, por sipas planit, ato priten të nisin në ditët në vijim.
Milani duhet të kuptojë sa është i gatshëm të investojë për një lojtar që, ndryshe nga Modric, është ende nën kontratë me Leverkusen deri në qershor 2028. Kartoni i shqiptarit ka një çmim, që duhet negociuar me klubin gjerman.
Pas afrimit të një lojtari afro 40-vjeçar si Luka Modric, a do të vendosë Milani të investojë përsëri për një tjetër lojtar mbi 30 vjeç, pas viteve me strategji mbi lojtarë nën 25 vjeç? Kjo është pyetja kryesore.
Nga ana tjetër, Leverkusen duhet të vendosë se për çfarë çmimi është i gatshëm të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të fortë të tij, në të njëjtën verë kur ka humbur trajnerin (Xabi Alonso, tashmë te Real Madridi dhe zëvendësuar nga Ten Hag) dhe lojtarë të rëndësishëm si Tah (te Bayern Munich), Frimpong dhe mbi të gjitha Florian Wirtz (te Liverpool).







