“Real Madridi është gjithmonë favorit, por ka edhe skuadra të tjera të pabesueshme, ekipe që mund të surprizojnë”. Kështu u shpreh Marcelo, ish-mbrojtësi i majtë brazilian, që u tërhoq nga futbolli në shkurtin e kaluar, në një intervistë për “Sport Mediaset”, me rastin e Kupës së Botës për Klube.
Marcelo ka kaluar 16 sezone të jashtëzakonshme te Real Madridi, duke fituar 25 trofe, mes tyre 5 Champions League, ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit dhe ka jetuar shumë netë magjike në “Santiago Bernabéu”.
“Ka skuadra braziliane, argjentinase, meksikane. Mund të ndodhë gjithçka”, – shtoi braziliani, i veshur me fanellën e Real Madridit. Ish-lojtari i Fluminense dhe Real Madridit, tashmë 37 vjeç, foli edhe për emërimin e Carlo Ancelottit si trajner i kombëtares braziliane.
Seleção arriti të kualifikohej në Botërorin 2026 pas vetëm dy ndeshjesh nën drejtimin e “Carletto”, i njëjti trajner që Marcelo e ka pasur për vite me radhë te Real Madridi: “Jam shumë i lumtur për Carlo Ancelottin. Si tifoz i Brazilit shpresoj gjithmonë që skuadra të përmirësohet dhe të fitojë.
Vitin tjetër kemi Kupën e Botës dhe shpresoj që të shkojë gjithçka mirë, që Brazili ta fitojë Botërorin. Lojtarët dhe Ancelotti e meritojnë. Besoj se Brazili mund ta fitojë Botërorin e vitit të ardhshëm”. Kujtojmë se vetë Marcelo ka grumbulluar 58 ndeshje dhe ka shënuar 6 gola me fanellën e Brazilit.







