Trajneri i Chelsea, Enzo Maresca, vijon të përgatitet për debutimin e skuadrës së tij në Botërorin për klube. Ndërkohë që, ai punon edhe për t’i dhënë një identitet të ri skuadrës, që vitin tjetër do të luajë edhe në Champion League.
Në prag të ndeshjes së parë në botërorin amerikan ai diskutoi për nënshkrimin e ri që bëri klubi, sulmuesi Liam Delap. “Para se të përballeshim me Ipswich sezonin e kaluar, thashë: Ai mund të jetë numri 9 i Anglisë”, u shpreh Enzo Maresca.
“Tani që ai është me ne mund ta them sërish këtë gjë. Nuk kam asnjë dyshim se ai mund të jetë numri 9 i Anglisë në të ardhmen. Liam gjithashtu e di shumë mirë se sa i rëndësishëm është ai pozicion për këtë klub ku luan tani”, shtoi trajneri italian.
“Personalisht nuk shoh ndonjë problem me atë, pasi Liam e shoh mjaft të relaksuar. Ai është mirë që kur ka ardhur, po punon mirë. Unë kurrë nuk i them një lojtari ‘Ti do të jesh zgjedhja e parë’”, tha Maresca.
“Mesazhi është gjithmonë i njëjtë: Duhet të punosh shumë, do të punosh më shumë se numri 9 tjetër dhe do të jesh zgjedhja e parë. Shpresoj shumë që ai mund të shënojë gola për ne”, u shpreh trajneri i Chelsea.
“Ne e njohim njëri-tjetrin tashmë prej vitesh, kështu që unë e di se çfarë mund të na japë Liam dhe ai e di se çfarë mund t’i japim atij për t’u përmirësuar dhe për t’u bërë një lojtar më i mirë. Do të na befasojë”, tha Maresca.







