Lautaro përpiqet ta harrojë “zero tituli”: Kam trishtim mbi supe, por dua të fitoj Botërorin e Klubeve

17 Qershor 2025
11:17
Alfred Lleshi
back button

Fjala kyçe? Të rifillojmë. Dhe të harrojmë atë fund sezoni që nga një ëndërr u shndërrua në makth për Interin. Lautaro Martinez përpiqet ta bëjë këtë që nga nata e sotme, kur zikaltrit do të përballen me Monterrey në ndeshjen e parë të Kupës së Botës për Klube.

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi argjentinas pranoi se ka ndjenja të përziera: “Jam i trishtuar sepse nuk arritëm të fitonim asnjë trofe këtë sezon. Sidoqoftë, nëse kthehem pas, nuk mund të them se ishte një sezon negativ. Dhe kjo duhet të na japë forcë për të nisur sërish me dëshirën e zakonshme”.

Tani mendja është te Botërori: “Ne jemi Interi, jemi një skuadër e pjekur, duam gjithmonë të arrijmë lart. Këtë Botëror duam ta luajmë deri në fund. Personalisht kam dëshirë të jap gjithçka për ta ndihmuar ekipin. Nuk ka më vend për të shikuar pas”.

Rifillimi është besuar te trajneri i ri, Chivu: “Është bukur të bëjmë gjëra të reja me trajnerin e ri, edhe pse konceptet nuk janë aq të ndryshme nga ato të Inzaghit. Iu kam kërkuar shokëve të jenë të fortë nga ana mendore, iu kam shpjeguar se në SHBA na duhet edhe një përpjekje e fundit para pushimeve. Diçka do të ndryshojë, sidomos në presing gjatë ndeshjeve. Është ende herët, ka kaluar pak kohë, por po punojmë për këtë. Do të jetë thelbësore për ne të kuptojmë sa më shpejt atë që kërkon Chivu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit