Monterrey-Inter 1-1, Sergio Ramosit i kundërpërgjigjet Lautaro. Debutim pa shije për Chivu

18 Qershor 2025
8:37
Alfred Lleshi
back button

Interi i Chivu e nis me një barazim. Zikaltërit, pas disfatës në finalen e Mynihut, duhet të kënaqen me një 1-1 kundër Monterrey, që nuk ishte ndonjë kundërshtar i frikshëm. Golit të avantazhit për meksikanët, të shënuar nga Sergio Ramos, iu përgjigj si zakonisht Lautaro Martinez.

Gjatë 90 minutave, “Toro” dhe shokët e tij ishin më të mirë në fushë, por në rezultatin përfundimtar peshuan shumë rastet e shpërdoruara. Në pjesën e dytë, Chivu tentoi të niste sulmin final me afrimet e reja, Luis Henrique dhe Sucic, si dhe një risi taktike, 3-4-2-1. Sidoqoftë, në vend që të ndryshonte ritmin, Interi ra në konfuzion.

© afp

Ndeshja
Të dy trajnerët, që ishin në debutim, e nisën ndeshjen në mënyra të kundërta: Chivu vijoi në gjurmët e 3-5-2 të Inzaghit, ndërsa Torrent “revolucionoi” Monterrey, duke e rreshtuar me skemën 5-2-1-2 për t’i bërë presion Interit një kundër një. Pasojë natyrale e kësaj zgjedhjeje taktike ishte ekuilibri i përgjithshëm. Interi pati kontrollin e topit, por blloku i ulët i Monterrey nuk la hapësira.

Ndeshja, pas një fillimi pa shkëndija, u zhbllokua në minutën e 21-të. Interi rikuperoi topin në kufijtë e zonës së meksikanëve, Barella me një lëvizje mjeshtërore hoqi qafe dy kundërshtarë dhe shërbeu një pasim të artë për Darmian, i cili, i vetëm në hyrje të zonës, gjuajti shumë lart. Ishte Monterrey që, në daljen e parë serioze përpara, kaloi në avantazh në minutën e 24-t. Bastoni humbi një top banal, që çoi në kundërsulmin 4 kundër 3 për meksikanët. Nga ai aksion lindi një goditje nga këndi, ku Acerbi humbi dyluftimin me Sergio Ramos. Spanjolli shënoi me kokë me bashkëpunimin e Sommer.

© afp

Interi nuk u dorëzua dhe u përgjigj menjëherë me një tjetër rast të madh, këtë herë me Esposito. Carlos Augusto nga e majta dha një top perfekt pas mbrojtjes kundërshtare, por “Seba” nga dy hapa e goditi topin drejt këmbës së portierit Andrada. Interi në minutën e 41-të gjeti më në fund golin e barazimit falë një skeme të menduar nga Chivu.

Goditje standarde e ekzekutuar nga Asllani, krosim i fortë në zemër të zonës për Carlos Augusto që, me qetësi, e uli topin te pika e penalltisë, ku Lautaro vetëm sa e shtyu në rrjetë. Një gol me rëndësi të madhe, që i dërgoi zikaltërit në pushimin e ndeshjes me rezultatin 1-1.

© afp

Në pjesën e dytë Monterrey mori zemër, avancoi përpara dhe la hapësira për kundërsulme të Interit. Me kalimin e minutave, Chivu kuptoi që momenti ishte i favorshëm dhe dha sinjal: jashtë Esposito dhe Pavard, brenda Thuram dhe afrimi i ri, Luis Henrique, me Darmian të spostuar në mbrojtje. Aty do të dukeshin për herë të parë risitë taktike të sjella nga rumuni. Një 3-4-2-1, me francezin dhe Mkhitaryan pas Lautaros.

Monterrey besonte dhe në minutën e 64-t goditi shtyllën me një goditje të papritur nga jashtë zone të Canales. Interi përgjigjet dhe do ta gjente golin e avantazhit me Lautaron, i shërbyer nga Barella, por “Toro” kapet në pozicion jashtë loje nga i zakonshmi Sergio Ramos. Në minutën e 77-të përsëri argjentinasi kishte një rast të artë për ta çuar Interin në avantazh.

© afp

Dimarco e prek keq topin, që përfundon perfekt në qendër të zonës për Lautaron, i cili, i vetëm, e godet topin lart në një lloj “penalltie në lëvizje”. Në minutat e fundit të ndeshjes Interi është më shumë konfuz se i rrezikshëm. Ky kaos, i bashkuar me lodhjen, nuk i lejoi zikaltrit të krijonin raste të pastra, madje stimuluan Monterrey të rrezikonte me kundërsulme.

Në fund, një barazim i hidhur për Chivu dhe skuadrën e tij. Pas një pjesë të parë ku u shpërdoruan shumë raste, në pjesën e dytë Interi humbi fillin e lojës dhe nuk arriti më të bëhej i rrezikshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit