Chivu: Pjesa e parë ishte e mirë, por na mungoi vendosmëria para portës

18 Qershor 2025
8:53
Alfred Lleshi
back button

“Bëmë një pjesë të parë të mirë, edhe pse u gjendëm në disavantazh. Në pjesën e dytë ishim më të ngadaltë në qarkullimin e topit, na mungoi vendosmëria para portës”. Kështu e analizoi Cristian Chivu debutimin e Interit të tij në Botërorin për Klube ndaj Monterrey (1-1).

“Rrezikuam në kundërsulme, djemtë dhanë maksimumin, – tha trajneri rumun për Dazn, pas ndeshjes së tij të parë në stolin zikaltër. – Mkhitaryan si trekuartist? Duhet të kemi gjithmonë më shumë zgjidhje dhe të jemi gati për ndeshjet e ardhshme.

Një lojtar pas dy sulmuesve, ose dy pas një sulmuesi është mundësi taktike. Luis Henrique? Mund të bëjë më mirë, ka personalitet dhe teknikë të mirë. Sebastiano Esposito? Në linjë me gjithë skuadrën, një paraqitje e mirë”.

Në konferencë për shtyp, Chivu shtoi: “E njihja mënyrën e lojës së meksikanëve, edhe pse nuk e prisnim të luanin me tre qendërmbrojtës. Gjithsesi janë një skuadër me përvojë, ne u sollëm mjaft mirë në pjesën e parë, krijuam mundësi edhe pas golit, reagimi ishte pozitiv.

Në pjesën e dytë mund ta kishim shënuar golin e dytë. Mbrojtja me zonë? Ua shpjegova idenë time lojtarëve, vendosëm të ndryshonim mënyrën e mbrojtjes në goditjet standarde sepse shpesh, duke mbrojtur një kundër një, na e merrnin hapësirën te shtylla e parë ose e dytë. Ndoshta do të kishim pësuar gol edhe duke mbrojtur një kundër një.

E provuam sot këtë taktikë ndryshe mbrojtëse, ishim proaktivë në pjesën më të madhe të ndeshjes, por në këtë moment, me pak energji që kemi, patëm pak vështirësi nga ana fizike. Nuk kërkoj justifikime, por për sa i përket qëndrimit dhe respektit ndaj kundërshtarit, kjo gjë nuk na ka munguar kurrë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit