Pavarësisht se koha e tij në Al-Hilal u shënjua nga një dëmtim i rëndë në gju pas vetëm shtatë paraqitjeve, klubi saudit nuk po e konsideron nënshkrimin e Neymar një “gabim”. Në fakt, CEO i klubit Esteve Calzada ka mbrojtur fuqishëm blerjen e yllit brazilian, duke vënë në pah përfitimet për sa i përket imazhit dhe popullaritetit.
“Neymar ka pësuar shumë lëndime, por nuk jemi penduar. Ishte një mëkat që nuk e pamë të luajë në maksimumin e tij, por kjo ndikoi pozitivisht në marketingun e klubit tone. Ardhja e Neymar na lejoi të tërheqim më shumë tifozë, të cilët ishin të apasionuar pas tij që nga momenti kur ai mbërriti”, tha Calzada në një intervistë për Cadena SER.
Pasi mbërriti me bujë të madhe në verën e vitit 2023, Neymar u prezantua si një nga simbolet e projektit ambicioz saudit në futbollin ndërkombëtar. Megjithatë, aventura e tij përfundoi shpejt për shkak të një këputjeje të ligamentit të kryqëzuar, gjë që e mbajti atë jashtë fushës për pjesën më të madhe të sezonit.
Sot, Neymar është rikthyer në Santos, klubi ku nisi gjithçka, me synimin për të rifituar formën e tij fizike dhe mbi të gjitha për të rifituar një vend në Seleção në prag të Botërorit. Pavarësisht përvojës së tij të pafat në Arabinë Saudite, Neymar nuk ka ndërmend të heqë dorë.







