Kingsley Coman hedh poshtë zërat e merkatos për një largim të mundshëm nga Bayern Munich. Ish-sulmuesi i Juventusit, i mbërritur te Bayerni në verën e vitit 2017, që atëherë ka shënuar 72 gola në 336 ndeshje zyrtare. Goli i tij më i rëndësishëm? Ai i fitores në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2020 kundër PSG-së (1-0).
Në këtë Botëror për Klube, francezi gjeti menjëherë rrjetën duke hapur rezultatin në fitoren shkatërruese 10-0 ndaj Auckland City. Sipas asaj që raporton “BILD”, lojtari francez është ndër ata që klubi do të dëshironte t’i shiste për të mbledhur fonde dhe financuar merkaton hyrëse. Thuhet se çmimi i Coman është rreth 35 milionë euro dhe së fundmi është përfolur një transferim i tij në Arabinë Saudite.
Megjithatë, vetë lojtari nuk dëshiron të largohet, siç ka deklaruar për të njëjtën gazetë gjermane: “Dua të qëndroj te Bayerni”. Arsyeja lidhet edhe me familjen e tij, e cila, sipas raportimeve, nuk është e bindur për një zhvendosje në Arabinë Saudite.
Edhe drejtori sportiv i klubit bavarez, Max Eberl, e ka lavdëruar atë: “King është këtu dhe po jep maksimumin. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, që ka bërë një sezon të shkëlqyer. Ka qëndruar gjithmonë në formë të mirë. Tani po luajmë këtë turne, ku të gjithë janë të rëndësishëm”.







