Përpjekja e Galatasaray për të marrë Hakan Calhanoglu është përkthyer në rritje të ofertës fillestare prej 15 milionë eurosh. Propozimi i turqve për Interin, ende vetëm në letër, është rritur me 5 milionë dhe tani është 20 milionë euro.
Një shumë ende larg vlerës që Interi e vlerëson “regjisorin” e vet, që është rreth 35-40 milionë euro. Po tani? Gjithçka varet nga lojtari, i cili për një herë nuk ka topin për të shpërndarë lojën, por për të treguar pozicionin e tij në lidhje me kthimin e mundshëm në shtëpi.
Sepse deri tani, Calhanoglu nuk është shprehur qartë mbi vazhdimin tek Interi, i cili nga ana e vet nuk do të donte ta shiste, përveçse për një shumë të konsideruar të denjë. Vitin e kaluar, pas disa ditësh hezitimi, Hakan vendosi të qëndronte tek Interi, duke i mbyllur dyert Bayern Munich.
Tani mbetet për t’u parë nëse do të refuzojë edhe këtë herë përballë “Gallatës së tij”, që i ofron 10 milionë euro në vit pagë. Sipas mediave turke, veçanërisht “Sporx”, Calhanoglu dëshiron të kthehet në shtëpi dhe pritet të lëvizë vetë për të kërkuar nga Interi uljen e çmimit të kartonit.
Është e qartë që Galatasaray, i cili zyrtarisht ka mohuar çdo tratativë për të mos e vënë lojtarin në siklet, po pret pikërisht lëvizjen e Calha, sepse synon ta përdorë “po”-në e tij për të ulur pretendimet e Interit. Kjo sepse strategjia e zakonshme e Galatasaray është t’iu ofrojë lojtarëve rroga të larta, por të shpenzojë shumë më pak për kartonët e tyre.
Në rast se Interi do të humbasë Calhanoglu, po vlerëson pistat Bernabé (duke qenë se ka nisur bisedimet me Parmën për Bonny dhe Leoni) dhe Rovella, të cilin Lazio nuk dëshiron ta shesë, edhe pse ka një klauzolë prej 50 milionë euro.







