Interi kërkon kualifikimin në 1/8 finale, Chivu zbulon planin sekret: Pio Esposito, gati për të befasuar

21 Qershor 2025
8:37
Alfred Lleshi
back button

Interi, sonte në orën 21:00, do të përballet me Urawa Red Diamonds në Seattle, në ndeshjen e dytë të Kupës së Botës për Klube. Zikaltërit vijnë pas barazimit me Monterrey dhe janë në ndjekje të River Plate. Trajneri i Interit, Cristian Chivu, foli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes.

Çfarë prisni të shihni sot?
Një ndeshje e vështirë, si të gjitha në këtë Botëror. Jemi në fund të sezonit dhe vijmë nga 9 muaj betejë, ku kemi luajtur çdo tri ditë. Jemi gjithmonë në kërkim të energjive të duhura për t’i përballuar ndeshjet. Urawa është një skuadër shumë e rregullt, me ndikim nga shkolla europiane dhe amerikane. Do të jetë një ndeshje e vështirë, si gjithë të tjerat.

Jemi kureshtarë të shohim Pio Espositon, si është. A do të mbështeteni tek ai?
Pio e kam njohur kur ishte 13 vjeç e gjysmë dhe jemi rritur bashkë në njëfarë mënyre. Edhe unë jam kurioz. E kam stërvitur te ‘Primavera’ dhe ka qenë nder, më pas shkoi në Serie B. Ai vjen nga dy kampionate shumë të rëndësishme, ku ka marrë peshë fizike dhe tani e shoh më të pjekur edhe si njeri, edhe si sportist. Është rikuperuar, ka bërë dy stërvitje me ne dhe sot do të kemi mundësinë ta shohim ose nga fillimi, ose gjatë lojës.

Çfarë është më e rëndësishme sot dhe çfarë mendoni për Urawa?
Ndeshja vetë është gjëja më e rëndësishme. Jemi ende në fazën e grupeve dhe na duhen pikët për t’u kualifikuar, ky është prioriteti. Është një ndeshje vendimtare për të dyja skuadrat. Mbeten edhe 6 pikë në lojë, duhet të bëjmë gjithçka për ta arritur objektivin tonë. Më pëlqen futbolli japonez, organizimi dhe disiplina që kanë ekipet japoneze. Janë shumë të rregullt taktikisht dhe teknikisht shumë të pastër. Kanë shtuar edhe përvojë europiane, çka rrit cilësinë. Gustafson është një lojtar që e admiroj, me shumë rëndësi teknike, fizike dhe atletike.

Çfarë nuk dëshironi të shihni sot, ose çfarë duhet të bëni më mirë?
Çdo ndeshje ka historinë e saj. Kundër Monterrey zhvilluam një ndeshje serioze, dhamë maksimumin me atë që kishim. Nxorëm versionin tonë më të mirë në atë moment, patëm reagim dhe krenari. Ndoshta në ndërtim ishim pak të ngadalshëm dhe mund të bënim më mirë, por janë gjëra për të cilat kemi folur e kemi punuar. Sot pres përmirësime në këtë aspekt, do të doja të shihja më shumë cinizëm para portës. Kemi humbur raste që mund ta bënin më të lehtë ndeshjen.

Nga ana e modulit, a mund të shihet një mesfushë me dy apo pesë lojtarë?
Varet si i numëron lojtarët, ndonjëherë mund të jetë me dy, ndonjëherë me katër ose tre. Për mua ata që luajnë pas sulmuesit janë mesfushorë që hyjnë shpesh në zonë. Nuk duhet të harrojmë që nuk është një grumbullim veror, ku ke kohë të përgatitësh gjithçka siç do. Para Monterrey kishim bërë vetëm dy stërvitje të plota së bashku, më pas, pas ndeshjes, dhamë 48 orë pushim për rikuperim sepse, siç thashë, janë 9 muaj betejë. Për një skuadër që luan çdo tri ditë, për mua stërvitja më e mirë është rikuperimi. Nuk mund të ndryshosh shumë, por mund të kërkosh disa gjëra që tashmë lojtarët i kanë bërë edhe më parë. Kemi lojtarë të zhvilluar, që kuptojnë menjëherë çfarë kërkojmë.

Çfarë kujtimesh keni për Nagatomon? Çfarë marrëdhënie keni me të?
Kam kujtime shumë të mira për Yuton, është mik imi. Jam shumë i lumtur që ende luan dhe po bën mirë. E kam parë me kombëtaren. Kam folur edhe me Suzukin, që është shok skuadre me të në kombëtare, i kam bërë komplimente dhe i kam dërguar një përqafim të madh. Bashkë tek Interi kemi kaluar shumë mirë.

Çfarë mendoni për lojtarët japonezë?
E adhuroj popullin japonez, vendin, kulturën, disiplinën. Të gjithë duhet të marrim shembull nga japonezët. Shpresoj që një ditë ta vizitoj Japoninë sepse është vend i mrekullueshëm.

A jeni të kënaqur me ndryshimin e qytetit përsa i përket klimës? A ndikon të luani në orën 12:00?
Varet nga këndvështrimi. Ishte bukur në Los Angeles, tani jemi në Seattle dhe ndihemi të lumtur këtu. Kemi gjetur një strukturë shumë të mirë stërvitore, si edhe në UCLA. Falënderojmë organizatorët dhe të gjithë ata që na kanë vënë në dispozicion këto kushte, sepse për ne është e rëndësishme të kemi gjithçka që na nevojitet për të punuar mirë. Seattle është pak më i freskët, por objektivi ynë është të luajmë.

Luis Enrique tha se dëshiron një PSG dominues. Ju, çfarë Interi dëshironi në të ardhmen?
Të gjithë trajnerët duan një skuadër dominante. Duhet të nxjerrësh teknikë, personalitet dhe dëshirë për të kontrolluar lojën dhe situatat, qoftë kur sulmon vertikalisht, qoftë kur luan më shumë me pasime. Besoj se ky është objektivi i çdo trajneri, edhe ne do të dëshironim ta bënim, kur të kemi gjithçka në dispozicion.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit