Asambleja e FSHF, anëtarët marrin vendime të rëndësishme dhe miratojnë raportet financiare

25 Qershor 2025
17:55
Telesport
back button

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së zhvilloi punimet sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, me pjesëmarrjen e delegatëve, anëtarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare të futbollit.

Në këtë aktivitet morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri, dhe ai i UEFA-s, Jozef Kliment.

Punimet e Asamblesë u hapën nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në fjalën e tij theksoi se Federata është e vendosur të çojë përpara zhvillimin e futbollit shqiptar me përkushtim, integritet dhe vizion afatgjatë.

“Por çdo strategji, çdo projekt, çdo ambicie kërkon më shumë sesa ide dhe plane. Kërkon vullnet. Kërkon guxim për të marrë vendime dhe përgjegjësi për t’i çuar deri në fund. Ne nuk flasim për progres. Por e udhëheqim atë! Dhe kjo nis këtu, në Asamble, të gjithë bashkë, si gjithmonë përkrah njëri-tjetrit, pa dyshim edhe duke kritikuar kur është rasti, por gjithmonë me synimin për të ecur përpara.

Futbolli nuk është pronë e askujt, por përgjegjësi e të gjithëve! Ai kërkon besim të ndërsjellë, bashkëpunim konkret dhe angazhim të përbashkët për ta bërë më të fortë, më të drejtë, më konkurrues, më edukues dhe më gjithëpërfshirës.

Ju, të dashur anëtarë të FSHF-së, nuk jeni thjesht dëshmitarë të këtij rrugëtimi – ju jeni bashkautorët e tij!”.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF foli edhe ndryshimi i ligjit për sportin propozuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, duke bërë thirrje që të merren parasysh kërkesat e ekspertëve të qeverisë së futbollit. “Ai ligj i propozuar synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, aspak të pavarur dhe jo profesional. Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje për reflektim MAS-së, Komisionit Parlamentar dhe Parlamentit, që mos ta votojë atë ligj. Por të bashkëpunojmë me të gjitha federatat sportive, grupet e interesit dhe të prodhojmë një paketë ligjore që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit!”, tha Presidenti Duka, teksa dha edhe një lajm të mirë për klubet e Kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë.

“Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe në vitin 2026, të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e futbollit si sporti më i dashur për shqiptarët dhe veçoi organizimin e suksesshëm të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëria 2025”, për herë të parë në vendin tonë.

“Asambleja është një moment i rëndësishëm reflektimi, bilancesh dhe padyshim vizioni për të ndarë për të ardhmen e futbollit shqiptar. Futbolli është sporti më i dashur për shqiptarët dhe një forcë e madhe përbashkimi, në të njëjtën kohë një instrument i fuqishëm i edukimit, integrimit dhe zhvillimit social.

Arritjet janë të shumta në vitet e fundit dhe dua të përmend një ndër aktivitetet ndërkombëtare që zhvilluam në Shqipëri, Kampionatin Europian U-17, ku Shqipëria jo vetëm mori pjesë, por gjithashtu u bë një pikë e rëndësishme e destinacionit për aktivitete ndërkombëtare të futbollit, duke treguar që di të organizojë dhe të mirëpresë aktivitete të mëdha ndërkombëtare.

Jam e kënaqur që së bashku me Presidentin Duka kemi një plan për të krijuar klasat sportive të futbollit në një prej shkollave të reja në Durrës, “Benardina Qerraxhia”. Gjithashtu kemi një plan për zhvillimin e shkollës së mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”, – tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit