Ligji i ri për sportin, Duka kritika Ministrisë së Arsimit dhe Sportit: Synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist

26 Qershor 2025
11:36
Telesport
back button

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të FSHF, Presidenti Armand Duka shprehu pakënaqësinë e tij për ligin për sportin dhe i bëri thirrje Ministres së Arsimit dhe Sportit, Manastirliu të mos votohet një ligj që synon krijimin e një abritrazhi sportiv klientelist dhe të bashkëpunohet me të gjitha federatat dhe grupet e interesit për të prodhuar një paketë ligjore që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit.

“Në Komisionin Parlamentar, është propozuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, ndryshimi i ligjit për sportin. Pa mirëkuptimin e asnjë të interesuari për sportin dhe me kundërshtimin e argumentuar nga ekspertët tanë. Ai synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, aspak të pavarur dhe jo profesional.

Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje për reflektim MAS-së, Komisionit Parlamentar dhe Parlamentit, që mos ta votojë atë ligj. Por të bashkëpunojmë me të gjitha federatat sportive, grupet e interesit dhe të prodhojmë një paketë ligjore që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit”, – tha Duka gjatë fjalës së tij në Asamble.

Sakaq, në pikën e fundit të rendit të ditës, anëtarët e Asamblesë së FSHF votuan pro për pezullimin pa afat të gjitha marrëdhënieve juridike të FSHF me KOKSH, deri në momentin kur: – Gjendja e ligjshmërisë të rikthehet; – Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të zbatohet plotësisht dhe – KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e vet dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes së sportit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit