Pritshmëritë janë në rritje për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, sfida inauguruese e Grupit B të “Euro 2024”. Sipas asaj që raporton ESPN, në ‘Signal Iduna Park’ të Dortmundit nesër në mbrëmje priten rreth 50 mijë tifozë shqiptarë për ndeshjen mes dy kombëtareve fqinje dhe mike.
Shifra vërtet befasuese, që vërtetojnë tifozët shqiptarë si më të mëdhenjtë, mbështetës të një kombëtareje në këtë turne, padyshim pas asaj të Gjermanisë, vendit pritës. “Ky Kampionat Europian po përjetohet ethshëm në të gjithë Shqipërinë.
E tillë është adrenalina, aq sa kryeministri Edi Rama pezulloi parlamentin e vendit për 10 ditë, me qëllim që t’i lejojë mbi 100 ministra dhe parlamentarë të ndjekin ndeshjet e Grupit B kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, – shkruan ‘SportMediaset’.
– Por e gjitha kjo nuk mjafton. Normalisht, kapaciteti i ‘Signal Iduna Park’, shtëpia e Borussia Dortmundit, është 81.000 spektatorë. Një numër i cili do të reduktohet në 62.000 spektatorë për ‘Euro 2024’.
Sipas burimeve të UEFA-s janë shitur një numër i madh biletash, shumica e tyre për tifozët shqiptarë. Italia, kampionia në fuqi e Evropës, do të mbështetet nga më pak se 10.000 tifozë. Nga ‘muri i verdhë’ te ‘muri kuqezi’ është një hap i shkurtër…”







